Picture
Sot numërohen më tepër se 25 lloje Infeksionesh Seksualisht të Transmetueshme, ndër të cilat: gonorreja, sifilizi, trikomonasi, myku, hepatiti B, herpes genital, sëmundja e shekullit-SIDA etj.

Të dhënat
Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme radhiten ndër sëmundjet më të përhapura kudo në botë. IST janë një problem i shëndetit publik duke u identifikuar ndër 5 sëmundjet që individët paraqiten më shpesh për ndihmë mjekësore. Të dhënat për vendin tonë tregojnë se Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme janë një problem në rritje. Rastet me hepatit B janë duke u rritur. Deri në nëntor 2011 rastet e diagnostikuara me HIV/SIDA arritën në 478 dhe rastet e reja për vitin 2011 ishin 65

Të rrezikuarit
Prej Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme mund të preken të gjithë, pa dallim. Çdonjëri është në rrezik për t’u infektuar prej një Infeksioni Seksualisht të Transmetueshëm, nëse bën seks të pambrojtur - pa prezervativ, me një person të infektuar.

Shenjat e IST-ve
-Skuqje, djegie apo kruajtje rreth organeve gjenitale
-Shtim të rrjedhjeve nga organet gjenitale, shpesh me erë të keqe e ngjyrë
-Djegie dhe/ose dhimbje gjatë urinimit
-Urinim të shpeshtë dhe në sasi të pakët
-Dhimbje në fund të barkut ose rreth organeve gjenitale
-Dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale
-Puçrra ose plagë rreth organeve gjenitale
-Dhe shenja të tjera sipas llojit të Infeksionit Seksualisht të Transmetueshëm dhe dëmtimit që ajo ka shkaktuar

Marrëdhënie seksuale të pambrojtura, me shumë partnerë, rrezikojnë jo vetëm shëndetin e shumë të rinjve, por edhe të partnerëve të tyre. Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme vitet e fundit në vendin tonë kanë fituar terren, duke shtuar numrin e të prekurve. Sipas të dhënave, IST-të janë një problem i shëndetit publik duke u identifikuar ndër 5 sëmundjet që individët paraqiten më shpesh për ndihmë mjekësore. Të dhënat për vendin tonë tregojnë se Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme janë një problem në rritje. Lumturi Merkuri, specialiste e Shëndetit Riprodhues, në Institutin e Shëndetit Publik për gazetën “standard” shpjegon se çfarë janë IST-të, ku sipas saj “Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme janë infeksione që transmetohen gjatë kontaktit seksual të pambrojtur, me dikë që është i infektuar. Ato shkaktohen nga viruse, baktere dhe parazitë. Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme prekin si femrat ashtu edhe meshkujt”. Mjekja sqaron se mjaft Infeksione Seksualisht të Transmetueshme janë pa shenja dalluese, por nëse shfaqen shenjat, ato janë të ndryshme për Infeksione Seksualisht të Transmetueshme të ndryshme. “Ato mund të jenë nga shqetësime të lehta në formë bezdie dhe deri tek shenja që tregojnë një problem serioz. Nëse Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme nuk trajtohen ato mund të çojnë në probleme serioze shëndetësore”, - deklaron specialistja e ISHP-së znj. Merkuri.

Kur rrezikohemi nga një Infeksion Seksualisht i Transmetueshëm?
Ju mund të merrni një Infeksion Seksualisht i Transmetueshëm nëpërmjet kontaktit seksual me dikë që është i infektuar. Por disa infeksione mund të transmetohen edhe në mënyra të tjera siç është kontakti lëkurë me lëkurë kur keni marrëdhënie seksuale me dikë që ka plagë të dukshme ose puçrra gjenitale. Përdorimi i prezervativit gjatë seksit vaginal, anal e oral do t’ju mbrojë nga Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme. Po kështu ju mund të mos jeni në gjendje të kuptoni nëse keni një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm. Shumë prej Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme nuk kanë shenja dalluese ose kanë shenja të lehta që nuk mund ti vini re. Shpesh shfaqja e shenjave bëhet me vonesë, atëherë kur infeksioni ka përparuar. Për këtë arsye këshillohet të kryhet një analizë sa herë që ju mendoni se keni qenë në rrezik për të marrë një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm.

A mund të kuptohet që partneri /partnerja ka një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm?
Ju nuk mundeni. Përderisa shumë Infeksione Seksualisht të Transmetueshme nuk kanë shenja të dukshme ju nuk mund ta kuptoni që një person është i infektuar. Madje disa njerëz mund të kenë një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm dhe nuk e dinë as edhe vetë mbasi nuk kanë shenja për muaj dhe vite me radhë. P.sh. klamidia është shpesh pa shenja duke mbetur për vite të tëra pa u mjekuar. Për këtë arsye shume vende rekomandojnë bërjen e analizave për të gjitha femrat seksualisht aktive mbi 25 vjeç.

Me çfarë pasojash përballen personat me IST-të?
Pasojat e një Infeksioni Seksualisht të Transmetueshëm të pa mjekuar mund të jenë mjaft serioze për shëndetin e burrave edhe të grave. Tek meshkujt, ato shkaktojnë infeksion të fshikës urinare, të testikujve, të prostatës deri në qelbëzim. Tek gratë infeksione të fshikës urinare, inflamacione të uterusit dhe të tubave fallopiane së bashku me pasojat e tyre. Mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, barrë jashtë mitre, etj. Pamundësia për të lindur fëmijë, shpesh është pasojë e një Infeksioni Seksualisht të Transmetueshëm të pa mjekuar. Një grua shtatzënë e infektuar mund t’ia kalojë infeksionin fëmijës së saj gjatë shtatzënisë apo lindjes. Infeksioni mund të përhapet në organet e tjera duke dhënë qelbëzim të organeve të legenit. Nëse ke një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm kjo rrit mundësinë për t’u infektuar më lehtë me virusin HIV/SIDA!

Në rast dyshimi si mund të sigurohen që nuk kanë IST?
Nëse ju jeni të shqetësuar për praninë e ndonjë Infeksioni Seksualisht të Transmetueshëm apo nëse dikush që ju keni pasur marrëdhënie seksuale ka një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm, gjëja më e mirë është të bëni një analizë dhe të shkoni tek mjeku për këshilla dhe trajtim. Nëse kapen herët shumë Infeksione Seksualisht të Transmetueshme mjekohen lehtë. Ngurrimi për të shkuar tek mjeku do të bëj që sëmundja të avancojë dhe të shkaktoj probleme serioze në shëndet. Vajtja tek mjeku do t’ju ndihmojë të qetësoheni. Mjeku mund tu kërkojë të bëni një analizë të sekrecioneve gjenitale, një analizë urine, ndonjëherë dhe një analizë gjaku. Mjeku gjithashtu mund tu pyes nëse dëshironi të bëni një test për HIV. Asnjë prej këtyre testeve nuk është i dhimbshëm. Për disa analiza rezultati mund të merret menjëherë për disa të tjera duhen disa ditë ose më tepër. Ndërsa prisni për përgjigjen e analizës ju nuk duhet të kryeni marrëdhënie seksuale. Nëse ju mendoni se ja keni transmetuar infeksionin partnerit duhet t’ja thoni në mënyrë që të bëjë edhe ai/ajo një test. Jini të çiltër e të ndershëm me të. Në disa shtete konsiderohet kriminale të mos ta bësh këtë. Nëse bën një analizë për Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme mund të kapet e mjekohet në kohë një Infeksion Seksualisht i Transmetueshëm i fshehur. Bëni mirë që herë pas here të bëni një analizë edhe pse mund të mos keni shenja, sidomos nëse mendoni se keni pasur rrethana me rrezik për një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm.

A ka mjekim për Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme?
Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme mund të mjekohen, por jo të gjitha janë të shërueshme. Ato të shkaktuara nga bakteret si klamidia, gonorrea, dhe sifilizi mund të kurohen, të tjera të shkaktuara nga viruset si herpesi, hepatiti B, HIV etj, janë të pa shërueshme. Nëse ke një Infeksion Seksualisht të Transmetueshme, mjeku do t’ju japë mjekim dhe ju duhet të ndiqni me kujdes këshillat e tij. Mjekimi bëhet vetëm nga mjeku. Mos u përpiqni të vetë mjekoheni. Disa Infeksione Seksualisht të Transmetueshme janë rezistencë ndaj mjekimit dhe nuk shërohen plotësisht. Infeksioni mund të rrijë i fshehur duke u përsëritur herë pas here e duke dhënë komplikacione. Ndiq gjithmonë këshillat e mjekut dhe çoje mjekimin deri në fund edhe pse mund të mos kesh shenja dhe të ndiheni mirë. Shko për një rikontroll tek mjeku mbas mbarimit të mjekimit. Një analizë tjetër është e nevojshme për tu siguruar që jeni shëruar plotësisht. Ju mund të mos keni shenja të dukshme, dhe mund të mendoni që jeni shëruar, por vetëm një analizë tregon se ju jeni shëruar plotësisht. Nëse nuk jeni shëruar ju duhet të merrni mjekim përsëri. Tregoi partnerit tënd seksual që edhe ai të kontrollohet dhe nëse është i infektuar të mjekohet. Nëse nuk mjekohet edhe partneri seksual, ju mund të riinfektoheni. Nëse mendon se ke një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm, shmang seksin deri në 3 ditë mbas përfundimit të mjekimit, ose përdor prezervativ. Mos shpërnda një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm!

Mund të parandalohen këto infeksione?
Parandalimi më i mirë është respektimi i ABC-së së parandalimit. Kjo do të thotë: A-shmang seksin deri kur ju të jeni gati për ta bërë këtë, B-qëndroi besnik partnerit-sa më shumë partnerë të keni, aq më e madhe mundësia e infektimit, C-Përdor prezervativ-Prezervativi është mbrojtja më e mirë ndaj Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme. Prezervativi është i vetmi që siguron mbrojtje të dyfishtë- të mbron në të njëjtën kohë nga një Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme edhe nga një shtatzëni e padëshiruar. Nëse ndonjë është i shqetësuar nëse ka një Infeksion Seksualisht të Transmetueshëm, duhet të shkojë tek mjeku për këshilla, testim dhe trajtim.

Burimi: Gazeta Standard


 


Comments


Your comment will be posted after it is approved.


Leave a Reply

    Shëndeti

    Në këtë portal ju do te gjeni informacione rreth Shëndeti