Picture
Edhe kundër anemisë, diabetit, mungesës së hormoneve, infeksioneve, lodhjes nervore etj. Për relaks dhe shëndet të mirë jo vetëm buzë detit, por edhe në ujëra termale. Jo vetëm për të sëmurët, por edhe ata që nuk vuajnë nga sëmundjet për t’iu paraprirë atyre. Pleqtë dhe të rinjtë, gjithmonë e më të shumtë në shfaqjen e problemeve të hershme me shëndetin.

Të ashtuquajturat ‘llixha’ edhe në antikitet njiheshin si vende relaksi, dhe mbrojtëse për shëndetin, veçse edhe kuruese kur shëndeti shfaq lloj-lloj problemesh. Janë një terapi gjatë gjithë vitit, edhe në dimër efekti është njësoj. Tashmë pranë llixhave të Elbasanit dhe Peshkopisë janë ngritur edhe qendra kurative që ofrojnë shërbime të plota, duke shtuar edhe mjekun në gatishmëri për të ndjekur ecurinë e terapisë. “Jo vetëm për sëmundjet reumatizmale, si poliartritet, spondeliatrozat, hernie diskale, ‘guta’ që kap këmbët dhe duart si pasojë e tepricës së acidit urik në gjak, por edhe sëmundje të enëve të gjakut si anemia dhe problemet hormonale.

Përmirëson kolitet kronike, pastron organizmin nga sëmundje të lëkurës si ekzemat, myku, e rinon atë si një krem anti-plakje, apo kundër infeksione të ndryshme të vezoreve, pneumonare etj. Edhe kundër diabetit, por jo kur është në shkallë të rëndë. Stimulon mjaft edhe seksualitetin dhe lindjen e fëmijëve në çiftet që kanë probleme. Ka pasur mjaft çifte që pas 21 ditësh kurë kanë pasur sukses. Por vlen edhe si një relaks nervor kundër nevralgjisë, lodhjes nervore”, shpjegon mjeku kirurg Agim Rama i qendrës kurative ‘Iliria’ në Llixhat e Elbasanit. Më e mira është të bëhet dy herë në vit me nga dhjetë ditë, por edhe një herë në vit mjafton.

Kush nuk duhet të bëjë llixha

Ata të sëmurë që vijnë në fazë akute, pas operacionesh, pas një bronkopneumonie akute, duhet të kalojnë një herë këtë fazë , rreth dy-tre muaj, e pastaj të bëjnë llixha. Ata që kanë kaluar infarkt, trompozë cerebrale duhet të presin një vit e pastaj të bëjnë llixha nën kujdesin e mjekut.

Nuk këshillohen të bëjnë llixha ata që vuajnë nga sklerozë e rëndë, epileptikët dhe ata që kanë dekompozim të zemrës me buzë të nxira, ënjtje të këmbëve, marrje fryme apo që vuajnë në shkallë të lartë nga variçet. Edhe atyre që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme nuk i’u rekomandohet llixha pa një kontroll tek mjeku. Gjithashtu edhe grave shtatëzana në tremujorin e parë dhe të fundit i’u ndalohet.

M. Alla

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
Varësia nga alkooli i ka bërë armiq me partnerët. E gjithsesi për të lënë alkoolin duhet mbështetja e familjes dhe të afërmeve në të kundërt beteja është pothuajse e pamundur. Në fakt nuk janë vetëm meshkujt të cilët janë të varur nga vesi të pirit por edhe femrat janë përfshirë në këtë fenomen. Shefi i klinikës së Trajtimit të Varësisë Alkoologjike, në  Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Shpëtim Doksani shpjegon rreth fenomenit të vartësve ndaj alkoolit.

Doktor shërbimi që ju drejtoni ka 2 vjet që funksionin, sa pacientë këni trajtuar në këtë periudhë kohore?

Deri me tani nga hapja e klinikës janë trajtuar 288 raste, prej të cilave 8 për qind i përkasin seksit femër. Kjo klinikë filloi me shtrimet hospitalore 24 orë. Kapaciteti maksimal  i kësaj klinike është me 10 shtretër.

Ju thoni se vetëm 8 për qind janë femra a mendoni se numri i vartësve të alkoolit është më i madhe se çfarë statusi kanë në përgjithësi vartëset ndaj alkoolit?

Absolutisht numri i tyre është shumë më i madh. Unë kam një mori telefonatash të njerëzve që duan të trajtojnë të afërmet apo të njohurat e tyre. Mendoj se paragjykimet i frenojnë ato që të vijnë dhe të trajtohen në klinikë. Sa i takon statusit të tyre mund të them se pjesa më e madhe e tyre janë të divorcuara dhe me moshë relativisht të re. Ndrysa edukimi i tyre arrin diku tek arsimi i mesëm.

Ku i shikoni problemet kryesore tek vartësit e alkoolit?

Një problem i madh i abuzimit me alkoolin (konsum i rrezikshëm dhe problematik) dhe dipendencës alkoolike shikoj familjen. Prindër me deficencë në shëndetin mendor, të asociuara me abuzim alkoolik të cilat çojnë në deficit serioz të shëndetit social, çojnë në trauma familjare dhe sidomos në dhunë verbale e fizike tek fëmijët. Alkoolizmi (alkool dipendenca) ka korrelacion serioz ne incidencën e sëmundjeve mendore. Pra bëhet fjalë për kategorinë e prindërve nga 30-55 vjeç,e cila duhet të jetë kategoria më e shëndoshë sepse kanë në dorë edukimin e brezit pasardhës. Studime të shumta evidentojnë korrelacionin reciprok të sëmundjeve mendore dhe abuzimit me alkoolin apo dipendencën alkoolike.

Mund të na thoni më konkretisht mbi këto çrregullime që sjell alkooli?

Çrregullimet e ankthit, çrregullimet depresive, çrregullimet e humorit, çrregullimet bipolare, çrregullimet depresive maxhore deri te psikoza alkoolike apo skizofrenia çojnë në sjellje violente dhe të rrezikshme  duke shkaktuar kështu trauma ndërmjet dy bashkëshorteve (që mund të jenë abuzime fizike, abuzime verbale, kërcënime, divorc, papunësi,viktimizim) konseguenca që reflektohen te fëmijët. Ka një ndërlidhje midis abuzimit(dipendencës alooklike) violencës dhe çrregullimeve mendore. Studimet e tjera ekzaminojnë agresivitetin e dhunës verbale ndërmjet prindërve dhe violencës shtëpiake me fëmijët adult .Dhuna verbale nga ana e prindërve ndaj fëmijëve të tyre adoleshentë çon në viktimizimin e këtyre të fundit dhe akoma më tej fëmijët e transmetojnë violencën me partnerët intime. Pra dhuna verbale dhe dhuna fizike e ushtruar tek mosha e re injekton të këta të fundit trauma violente viktimizuese. Madje studimet evidentojnë rritjen e riskut për vetëvrasje në komorbiditetin e çrregullimeve bipolare te abuzuesve te alkoolit. Pra çrregullimi bipolar është i asocuar me dependencë alkoolike duke rritur riskun për vetëvrasje. Sjellja e vetëvrasjes ka më shumë probabilitet te kategoria  abuzuese ose dipendentë alkoolike kur në të njëjtën kohë kanë dhe çrregullime bipolare.

Thatë se familja është e rëndësishme në ndihmën që duhet ti japë një vartësi të alkoolit. A vihet re kjo tek familjet shqiptare?

Në fakt shikoj shumë të lodhura bashkëshortet nga partnerët e tyre vartës së alkoolit. Kjo për shkak se ata kanë sjellë deficite në familjet e tyre dhe kudo.

70% prej këtyre pacienteve janë shtruar edhe me patologji shoqëruese psikiatrike si :

1-çrregullime humori                                                   75%

2-çrregullime depresive                                               28%

3-çrregullime bipolare                                                 16%

4-çrregullime ankthi                                                   66%

5-çrregullime ankthi te generalizuar (GAD)              1%

6-çrregullime paniku (atake)                                      24%

7-çrregullime postraumatik stresor (PTSD)                 17%

8-psikoza alkoolike                                                     14%

9-  Çrregullime te karakterit antisocial dhe bord-line 11%

Psikologia: Komunikimi me vartësit nuk është i thjeshtë

Komunikimi me pacientë të cilët janë vartës të alkoolit nuk është i thjeshtë por psikologia e klinikës së Trajtimit të Varësisë Alkoologjike, në QSUT, Agushe Koça pohon se kjo është sfida dhe puna e tyre. “Ne japim mundësinë që pacientët të lënë alkoolin por jo ti bindim ata. Pra janë ata që ë bëjnë këtë zgjedhje ne thjesht mundohemi ti ndërgjegjësojmë dhe ndihmojmë për të lënë alkoolin por kuptohet se janë ata që duhet të punojnë më shumë me veten e tyre”, thekson ajo duke shtuar se ata duhet të ndryshojnë stilin e jetës. Më tej stafi i kësaj klinike shpjegon mbi ecurinë e trajtimit psiko-social të këtyre pacientëve i cili nis të hënën dhe mbaron të premten. Ky trajtim fillon  me  rregullin e ditës, takimin me Komunitetin Multifamiljar dhe me edukimin e shëndetit. Ky trajtim zgjat pëse ditë në javë. Sipas personelit çdo ditë pacientet informohen mbi shëndetin, për dëmet që shkakton konsumimi i alkoolit për problemet që krijohen në marrëdheniet familjare apo shoqërore. Informimi mbi shëndetin nuk është i detyrueshëm vetëm për pacientet por ky trajtim do të ndiqet edhe nga familjaret. Pasi në këtë mënyrë ndryshimi që kërkohet do të jetë me efikas dhe ambienti që do të krijohet në familje pas daljes së pacientit do jetë me komode. Ky ndryshim pra ndryshimi i mënyrës së jetesës nuk kërkohet vetëm nga pacienti por edhe nga familjarët e tij. Çdo ditë në klinike ka një program të përcaktuar nga stafi dhe që duhet respektohet me rigorozitet nga pacientët.

Trajtimi terapeutik, rregulla strikte në klinikë

Trajtimi terapeutik në klinikë ka një domethënie të veçantë pasi ditët në spital organizohen sipas një principi të vetëkontrollit. Ky princip sipas stafit të klinikës ka nje qellim terapeutik që është vendosja e rregullave ku i kushtohet rëndësi kohës dhe vendit. Ka orë mësimi dhe orë të lira, respektohet rregullsia dhe përpikmëria, edukohen të marrin përgjegjësi dhe të vendosin, pa ia deleguar këtë të drejtë personave të tjerë, zhvillimi i vetëbesimit, edukohen të kenë kujdes për personat e tjerë dhe për ambientin ku jetojnë, stimulohen të punojnë me të tjerë

stimulohen të përballen me ide dhe bindje, të forcojnë idenë e pranimit të  këndvështrimeve të ndryshme duke kontrolluar impulset e tyre. Vetëkontrolli sipas mjekëve zhvillohet nëpërmjet aktivitetit të grupit të alkoolistëve në trajtim që zgjidhen nga njëri tjetri për të ndërmarrë role dhe detyra të përcaktuara. Disa nga detyrat që janë: presidenti i komunitetit, zëvendëspresidenti, kryetari i grupit, të saposhtruarit marrin dhe ata një detyrë që të integrohen me grupin dhe përgjegjësitë.

Këto role dhe detyra të këtij aktiviteti terapeutik janë të qarta për këdo pra janë të përcaktuara përgjegjësitë e çdo funksioni. Gjithashtu personat e shtruar kujdesen vetë për higjienën dhe pazarin për disa nga nevojat e tyre, kjo gjë bëhet që personat të kenë një kontroll për të ardhurat dhe të mos i shpërdorojnë për alkool.

Çfarë ndodh pas daljes nga klinika



Pas daljes nga klinika  hapi i trete dhe më i rëndësishmi do të jetë frekuentimi i klubeve. Ky term në gjuhen shqipe ka një tjetër kuptim dhe për fenomenin që po trajtojmë do të duket paradoksale por është esenciale vazhdimi i terapisë. Eksperienca në vendet ku kjo metodë është aplikuar ka treguar se nëse personat që kanë ndjekur 2 etapat e parë dhe nuk kanë frekuentuar klubet. Shumica e pacientëve kanë pësuar relaps, janë rikthyer në gjendjen e tyre fillestare. Klubet janë një mënyre për të ndryshuar mënyrën dhe stilin e jetesës. Janë  një strukturë që përbëhet nga  personat që kanë pasur probleme alkoolcorrelati dhe nga familjaret e tyre. Klubet funksionojnë në një mënyrë të tillë që janë një suport i vazhdueshëm. Anëtarët e klubit organizohen dhe takohen në një ditë  dhe ore të caktuar, dhe ky takim realizohet çdo javë. Kohëzgjatja e në një klubi nuk mund të jetë më pak se 90 minuta.

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
Flet doktori obstetër –gjinekolog Robert Qirko, tregon pasojat e lindjes me operacion dhe lindjes natyrale, raporti mes dy rasteve dhe rruga drejt shëndetit të të dyve.

Rastet
Në lidhje me statistikat Robert Qirko, doktor obstetër-gjinekolog në Spitalin Universitar Obstetrik-gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, tregon: “Përqindjet ndryshojnë sipas qyteteve të ndryshme. Në rast se Tirana ka përqindjen më të lartë të lindjeve me operacion, duhet marrë parasysh që rastet problematike vijnë nga rrethet për këtu”. Në të vërtetë cilat janë shenjat që çojnë një grua drejt njërës apo tjetrës zgjedhje? Sipas doktorit shenjat janë të shumta, edhe për rastet kur duhet bërë një operacion. Mirëpo, sipas tij, problemi qëndron se ka disa raste kur lindja duhet bërë me operacion, e detyrueshme dhe disa raste kur lindja me operacion është relative ku çdo gjë mbetet në kuadrin e një konsulte ose të një vendimi në mirëkuptim me familjarët. “Në rastin kur kemi një lindje kur presupozohet një fëmijë i madh, nuk është tregues absolut. Në rast se ne shohim se kjo lindje nuk po ecën dhe diskutohet me familjarët për problemet, pasi lindja mund të bëhet me instrumente, ku bebi mund të dalë me probleme, atëherë ky është një indikacion relativ. Në qoftë se kemi një fëmijë të vendosur transversal, i pozicionuar horizontalisht në bark, gjithashtu ku plasin edhe ujërat atëherë ky është një tregues, madje është urgjencë ku nuk mund të presësh. Nuk mund të flasësh me siguri për rastet e operacionit, vetëm në rastet kur ka tregues absolut”, - shpjegon doktori obstetër-gjinekolog, Qirko.

Ndryshimi
Por në të vërtetë se cili është ndryshimi mes një lindjeje natyrale dhe asaj me operacion, doktori përgjigjet: “Një lindje vaginale bën që fëmija të dalë nëpërmjet kockave të baçinit, kjo bën që të ndryshojë strukturën e tyre, prodhohen disa hormone që zgjeron ligamentet. Për të mbajtur një baçin sa më të ngushtë edhe pas lindjes, atëherë zgjedhin lindjen me operacion. Kohët e fundit lindja me operacion për gratë është bërë shumë komode, pa shumë komplikime dhe dhembje. Nga ana tjetër ka shumë gra që dëgjojnë të tjerat të cilat thonë se kryen një lindje me operacion, nuk patën probleme, morën beben dhe gjithçka shkoi mirë. Për të kursyer problemin e dhembjes dhe stresin e lindjes zgjedhin mënyrën e operacionit. Ky është tregues relativ, që një grua e kërkon bashkë me burrin se duan lindje me operacion, kjo varet nga gjendja klinike. Në rast se ka një tregues që tregon se kjo lindje nuk duhet të përfundojë lindje vaginale, atëherë përputhet dëshira e gruas dhe mund të bëhet me operacion. Dëshira e gruas është diçka për t’u diskutuar, por po shtohen rastet kur gratë vijnë vetë dhe kërkojnë të bëjnë lindje me operacion”. Sa i përket rrezikut, edhe nëna edhe fëmija janë njësoj të rrezikuar. Pasi doktori sqaron se edhe ky lloj operacioni përmban risqet e çdo lloj operacioni tjetër. Por ai thotë: “Në operacion ka risqe, ne kemi përpiluar disa konsensuse ku gratë bien dakord për problematikat gjatë operacionit. Kështu ato duhet të japin konsensus në rastet kur është e nevojshme marrja e gjakut, në rast se do të duhet të kryhet një ndërhyrje të dytë, të dinë për çdo lloj rreziku që mund të kalojnë. Gjithashtu shton mundësinë për të bërë aksidente të vazave të gjakut, siç janë tromboflebitë, trombozat, etj. dhe më pas në qoftë se do të bëjë një fëmijë të tretë rreziku është edhe më i madh, qoftë dhe me operacion, sepse në këto raste rrezikon shumë nëna për çarje të mitrës”.

Ndërlikimet
Komplikimet e operacionit, ashtu si dhe të ndërhyrjeve të ndryshme që mund të kryhen, ndahen në afatshkurtra dhe afatgjata. Ato afatshkurtra të cilat ndodhin 24-48 orë deri në një javë pas lindjes lidhen me hemorragji të pas lindjes, me një infeksion, grumbullim të gjakut. Komplikimet afatgjata mund të shfaqen edhe pas një muaji, janë më të shpeshta tek këto lindje. Kështu mund të ketë një infeksion intraabdominal dhe të kemi ngjitje të organeve brenda barkut, ngatërrim zorrësh, mund të ndodhë të ketë hernie, të ketë infeksione të plagës. Këto janë të limituara nuk është se janë të shpeshta, pro janë gjëra që ndodhin dhe të kenë probleme. Një tjetër element që përcakton rrjedhën që do të marrë shtatzënia, doktori thotë se jo gjithmonë është absolute që ndikon ndjekja gjatë shtatzënisë për rrjedhën që do të marrë ajo. Sipas tij, në qoftë se një grua nuk vizitohet asnjë herë tek mjeku gjatë shtatzënisë, por vjen në fund vetëm për të lindur, rritet shumë probabiliteti që këto gra të kenë lindje me probleme. Pasi ndjekja e gruas gjatë shtatzënisë parandalon shumë probleme përmes ekzaminimeve dhe testeve. Për këtë gjinekologët këshillojnë që bërja e kontrolleve periodike dhe sipas rregullave përcakton dhe fatin e shtatzënisë. Të gjitha këto bëjnë të ndalen këto probleme dhe të kesh një linje sa më natyrale. Ndërsa mbetet besnik i metodës natyrale, pasi lindja natyrale është më e mirë për vetë faktin se ajo vjen natyrshëm. Që të dyja lindjet kanë risqe, por në qoftë se te lindja me operacion ka risqe më të mëdha, lidhur me anestezinë, risqet e prerjes, mund të ndodhë deri në vdekje të gruas. Tek lindja natyrale nuk janë këto risqe kaq të mëdha, komplikimet nuk janë kaq të shpeshta. Por edhe lindja natyrale ka problemet e veta, siç mund të jetë një hematomë, një lacaracion apo fistula që mund të ndodhin në të ardhmen e gruas, mbart edhe riskun e bebes. Megjithatë komplikacionet që ka lindja natyrale janë më të pakta sesa ajo me operacion edhe si numër edhe si përqindje. Ja pse rekomandohet gjithmonë lindja natyrale, ndryshimet janë madhore. 

Dhembjet e lindjes
Fillimi i procesit të lindjes sinjalizohet nga ngacmimet e para të fëmijës. Pas këtij sinjali çlirohet hormoni oksiton i njohur si hormoni i dashurisë. Ky hormon siguron tkurrjet e mitrës. Në të njëjtën kohë trupi çliron hormonin endorfinë. Edhe ky hormon si një morfinë natyrale pakëson ndjenjën e dhembjeve. Nëse gjatë lindjes nuk ka ndërhyrje çdo gjë shkon në rregull, por nëse për të përshpejtuar lindjen gruas i injektohet hormon oksiton, atëherë endorfina nuk mund t’i bëjë ballë dhe mbetet e pamjaftueshme. Dhe si rrjedhojë shtohen dhembjet. Dhembjet e lindjes janë dhembjet më të forta që një grua provon në jetën e saj. Ato mund të zgjasin disa orë.

Rritje të lindjeve me operacion
Statistikat për lindjet në total flasin për rënie të numrit të rasteve në vitet e fundit. Po të shikosh një grafik pas viteve ‘92 do të shikosh që deri në 2010-n ka rënie të lindjeve. Si përqindje lindjet me operacion janë rritur. Kjo rritje ka ardhur jo për shkak se ka probleme të ndryshme të cilat mund të jenë shtuar dhe s’kanë qenë përpara, por ndoshta ka një ndryshim të infeksioneve gjatë shtatzënisë, pasi kanë pësuar rritje sëmundjet seksualisht të transmetueshme, për shkaqe që lidhen edhe me hapjen e kufijve. Gjithashtu rritja e rasteve të ndërhyrjeve me operacion ka ardhur edhe për shkak të një kujdesi më madh gjatë muajit të fundit të barrës, për të pasur një fëmijë më të shëndetshëm. Në rast së përpara seskocesari ishte një operacion problematik dhe në përqindje të madhe gratë bëheshin anemike, merrnin gjak, merrnin infeksione të shumta. Aktualisht lindja me operacion është më e thjeshtë dhe nuk ka komplikime të shumta. Kjo nuk eliminon në mënyrë definitive komplikimet, por ajo që dua të them lidhet me faktin se ndërlikimet janë të njëjta si në të gjithë botën. Për këto shkaqe operacioni nuk konsiderohet më tabu, saqë të arrihet në sakrifica të mëdha duke kryer lindje natyrale dhe të humbasë bebi apo të ketë probleme të tjera. Shtimi i rasteve me operacion ka ardhur edhe për shkak se gjendja e fetusit është më e mirë, kur plotësohen të gjitha kushtet që ndërhyrja të kryhet. Shtimi i rasteve me operacion ka ardhur edhe për shkak të disa patologjive, edhe ky një tregues për të bërë këtë ndërhyrje. Me kapjen e këtyre patologjive në kohë, operacioni kryhet për të bërë daljen e fetusit në një gjendje sa më të mirë. Nga ana tjetër është bërë e mundur ulja e rasteve të “feto morto in utero”, kur fëmija vdes brenda në barkun e nënës. Një ndjekje më e mirë e shtatzënisë bën të mundur që ta kapësh problemin pak më herët, në këtë mënyrë bëhet operacioni dhe fëmija del gjallë. Në këtë mënyrë vërtet shtohen operacionet, por kjo sjell në jetë një bebe të gjallë. Rritja e numrit të operacioneve bën që mirëqenia fetale të jetë më e mirë, si dhe ul numrin e fëmijëve që vdesin pas lindjes.

Tirana ka përqindjen më të lartë të lindjeve me operacion, ndërsa statistikat në rang kombëtar flasin për 30 për qind të lindjeve që kryhen me këtë metodë. Largimi deri diku nga lindja natyrale, në disa raste po bëhet edhe me kërkesë të vetë grave, përballë kësaj situate mjekët obstetër –gjinekologë tregojnë problematikat dhe rreziqet e lindjeve me operacion dhe natyrale.

Burimi: Gazeta Standard


 
 
Picture
Ushqimi i njomë është veçanërisht i shëndoshë. Mirëpo, shkencëtarët nga universiteti amerikan i Arkansasit kanë zbuluar se karota bën përjashtim: e zier, përmban më shumë se të tretën e fenoleve, të cilat e mbrojnë zemrën më tepër se e paziera. “Prerja e karotës para zierjes sjell deri tek ajo që efektet e saj kryesore ushqyese të derdhen në ujë ku po zihet. Nëse i zieni të tërën dhe e preni më vonë, mund të kënaqeni në shijen e tyre, por edhe në efektet e shëndetshme”, - deklaroi dr. Kristen Brandt, njëra prej shkencëtarëve që kryen këtë studim. Ajo shtoi se karota e tërë e zier është shumë e shëndetshme dhe e thjeshtë për përgatitje dhe se njerëzit do të duhej t’i pranojnë shprehitë e tilla të konsumimit nëse mendojnë ta ruajnë shëndetin. Studimi dëshmoi se sheqeri natyral i karotës përmban efekte të fuqishme antikancerogjene me konsumimin e të cilave zvogëlohet rreziku nga kanceri. Megjithatë nëse e preni para zierjes, ajo i humb efektet e saj të shëndetshme.

Burimi: Gazeta Standard

 
 
Picture
Çdo natë, miliona njerëz përfshihen në një korr gjigant gërhimash e ndërkohë, partnerët e tyre të pagjumë, vuajnë gjatë. Një studim i fundit për gërhimën ka nxjerrë në pah se partnerët e personave që gërhasin shumë gjatë natës, humbasin çdo vit një ekuivalent prej tri javësh gjumë. Është një problem i madh në fakt, i konsideruar gjithnjë si një problem i dorës së dytë, me të cilin nuk janë marrë kurrë seriozisht. Por nga ana tjetër ka ndikim shumë të madh në marrëdhëniet mes çifteve. Ka njerëz të cilët edhe janë ndarë për shkak të përshkallëzimit të problemit të gërhimës, pasi situata është shndërruar me të vërtetë në një situatë të padurueshme. Por duhet ditur se ka rreziqe potenciale për shëndetin e personit që gërhet dhe jo gjithçka shkon vaj me këta “gjumëprishës”. Këto rreziqe përfshijnë që nga rritja e presionit të gjakut e deri te frika e një goditjeje në zemër. Sipas në studimi që është bërë në Britaninë e Madhe del se të paktën 3 milionë britanikë gërhasin në mënyrë të jashtëzakonshme. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga alergjitë e deri te mbipesha. Gjetja e thelbit të problemit është edhe çelësi i gjetjes së trajtimit të duhur.
Në pjesën më të madhe të rasteve, një stil i thjeshtë jetese mund të japë ndikim dhe përmirësim të situatës. Pra si mund ta gjesh se cili është shkaku i gërhitjes tënde? Ja disa tipe të ndryshme të gërhimës.
Gërhima nazale

Është edhe gërhima klasike me një frekuencë të ulët dhe një zhurmë jo të fortë. Duket një gërhimë shumë monotone që nuk të vret shumë veshët, por të shqetëson. Shkaku i saj është bllokimi i pjesshëm i rrugëve të frymëmarrjes dhe mostretja e sasisë së madhe të ajrit që futet në gojë ndërsa flihet. Presioni ekstra shkakton një goditje të fletës së butë të grykës. Kur kjo goditet, ajo nis të vibrojë, ndërsa i kalon ajri, duke shkaktuar edhe zhurmën karakteristike të gërhimës. Një rast i zakonshëm është alergjia apo infeksioni i sinusit që shkakton inflamacion. Deformimet e hundës luajnë një tjetër rol në këtë pikë dhe gjithashtu edhe mishi i huaj në hundë.
Gërhima me gjuhë

Është një gërhimë e fortë. Ky tingull ka të bëjë me muskulin e gjuhës dhe është më i shkurtër, por më i fortë se gërhima për të cilën folëm më lart. 30 ose 50% e atyre që gërhasin kanë një gërhimë të tillë. Këtu gjuha është në pozicion të gabuar duke bllokuar ajrin që të hyjë në grykë, ndoshta për shkak të një nofulle më të ulët, apo të relaksimit të tepërt të muskujve apo edhe të një gjuhe me përmasa të mëdha. Të pish alkool para se të shkosh në shtrat, apo ilaçe gjumi dhe ilaçe të tjera si antihistamina, mund që të shtojë problemin, sepse në këto raste kemi një relaksim të muskujve.
Gërhima e gojës

Është e ngjashme me gërhitjen hundore dhe ndodh kur je shtrirë në kurriz apo në krah. Një nga këshillat që jepet jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha rastet e gërhimave, është që të mos pish duhan, veçanërisht në prag të gjumit, si dhe alkool. Një nga zgjidhjet, ose opsionet e mundshme për të shmangur këtë lloj gërhime, është edhe operacioni i heqjes së mishit të huaj në hundë.
Apnoeja e gjumit

Është si një kreshendo, që sa vjen e rritet dhe zgjat deri në 20 sekonda maksimumi dhe më pas pasohet nga kolla apo lëvizje të tjera të trupit. Sipas statistikave, nga kjo lloj gërhime preken 4% e meshkujve dhe 2% e femrave. Gjatë gjumit, muskujt relaksohen kaq shumë dhe si rezultat, zhbllokojnë kalimin e ajrit. Ndalimi parcial rezulton në gërhimë, por në rast se do të kishim të bënim me një ndalim të plotë, atëherë do të kishim të bënim me mbytje që mund të zgjaste edhe për 20 sekonda ndonjëherë. Kur ajri ka dalë tërësisht jashtë dhe mungon, atëherë truri dërgon menjëherë sinjale që shkaktojnë në këtë rast kontraktim të muskujve dhe rifillim të frymëmarrjes. Në shumë raste ai që e ka një gjendje të tillë nuk ka një memorie për sa i ndodh, por vetëm se ndihet i lodhur kur çohet nga gjumi. Kjo lloj gërhime mund të shkaktojë rrezikun e presionit të lartë të gjakut, goditje në zemër, madje edhe diabet. Në këtë rast, derman mund të bëjë ndonjë ndërhyrje e vogël kirurgjikale, por edhe rënia nga pesha apo ndryshime të mënyrës së jetesës.
Nuk ka moshë për ata që gërhasin

Mendojmë gjithmonë se janë vetëm të rriturit ata që gërhasin natën në gjumë. Por nuk është ashtu. Gërhima është shumë e përhapur edhe te fëmijët, apo foshnjat e vogla, madje është më e përhapur gjatë moshës 3 dhe 6 vjeç. Një nga shkaqet është zmadhimi i bajameve. Një shkak i gërhitjes tek fëmijët është mbilodhja gjatë ditës.

Burimi: Gazeta Shqip


 
 
Picture
Lëngu i Aloe Vera-s po konsiderohet si ilaçi më natyral dhe shumë i rëndësishëm për jetë të shëndoshë. Ky lëng del nga bima e Aloe-s dhe është luftuesi më i mirë i sëmundjeve si: kapsllëku, djegiet në stomak, kolesteroli i lartë, diabeti dhe infeksioni i kyçeve. Studimet e fundit për bimën e Aloe Vera-s kanë ardhur në përfundim se lëngu i Aloe-s është një luftues i mirë dhe zvogëlon dhembjet e ndryshme në trup si dhe forcon dhe stimulon sistemin imunitar të organizmit njerëzor. Lëngu i Aloe-s është njëri prej lëngjeve që lufton shumë gripin sezonal, ftohjet dhe kollitjet. Mjekët thonë se nëse ai merret me periudha më afatgjate, atëherë ai rrit fuqinë muskulore dhe përmirëson gjendjen shëndetësorë si dhe bukurinë e lëkurës dhe të flokëve. Edhe pse ende nuk ka ndonjë zbulim apo trajtim shkencor të këtij ilaçi natyror, ku do të mund të saktësohej vlefshmëria shkencore për ta marrë këtë ilaç si trajtim mjekësorë. Për këtë arsye mjekët thonë se ai nuk mund të zëvendësojë barnat mjekësore (sidomos tek pacientët me diabet apo kolesterol të lartë). Por, ai mund të jetë i dobishëm si mbështetje plotësuese ose si formë parandalimi në një regjim dhe jetë më të shëndetshme. Por, kjo nuk do të thotë se nuk janë bërë kërkime shkencore. Këto kërkime të bëra deri më tani janë mbështetur nga testimet klinike tek njerëzit. Rezultatet laboratorike mbi qelizat humane kanë identifikuar në lëngun e Aloe Vera-s një substancë e cila është e aftë për të rritur aktivitetin e quajtur NF-kappa B (një zinxhir i proteinave që luan rol kyç në sistemin imunitar të organizmit të njeriut). Ndryshe, kjo njihet me emrin aloeride dhe si substancë klasifikohet në gjeninë e substancave polisakaride (një lloj karbohidrati për sistemin tonë imunitar). Kohëve të fundit lëngu i Aloas po bëhet edhe si krem dhe po përdoret si një substancë për mbrojtje nga dielli, gjë që ka rezultuar si kremi më mbrojtës kundër rrezeve të diellit. Ndryshe, kremin, por edhe lëngun e Aloa-s mund ta gjeni nëpër farmaci, përderisa ai gjendet edhe në dyqane dhe supermarkete ushqimore. Merret pa recetë mjeku dhe siç thamë nëse merret rregullisht atëherë disa sëmundje, përfshirë edhe gripin, do të mund t’i luftojmë më lehtë.

Burimi: Gazeta Standard

 
 
Picture
Dëshironi të keni një buzëqeshje rrezëllitëse dhe ende nuk dini se kush janë sekretet për të mbajtur dhëmbë të bardhë?

E gjithë kjo çështje merr zgjidhje, ndërsa studimet amerikane servirin shumë këshilla për të patur një buzëqeshje të kristaltë.

Konsumoni sa më shumë mollë, selino, lulelakër dhe qumësht, për të forcuar zmaltin e dhëmbëve. Jo vetëm kaq, por produktet të cilat duhet ti konsumojmë pak janë kafja, çaji, pijet me përmbajtje sheqeri. Kush dëshiron të mbajë vetëm “bardhësi”, duhet që të qëndroni larg kafes, sikurse dhe duhanit.

Mesa duket, ushqimet kanë një rol vendimtar dhe të rëndësishëm për të luftuar kariesin, për të patur një frymëmarrje sa më të këndshme dhe për të larguar gurëzat.

Nëqoftëse dëshiron të kesh dhëmbë shumë të bardhë, të nevojitet një dietë për të eleminuar grumbullimin e gurëzave dhe pllakëzave mbi dhëmbë.

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
Frutat janë shumë të rëndësishme në jetën tonë. Ato janë të pasura me shumë lloje vitaminash, kanë veti kuruese dhe parandaluese të sëmundjeve të ndryshme. Të gjithë ne konsumojmë fruta të ndryshme, edhe pse jo gjithmonë kemi informacione për përmbajtjen apo vetitë e tyre. I konsumojmë sepse na shijojnë.

Konsumimi i frutave mbron trurin nga plakja dhe zvogëlojnë rrezikun për të humbur kujtesën. Të tilla janë manaferrat. Luleshtrydhet dhe boronicat përbëjnë një sasi të madhe të komponimeve bimore të pelofenolit, i cili mbron trurin. Frutat në ngjyrë portokalli, të kuqe apo të kaltër, jo vetëm zvogëlojnë rrezikun nga humbja e kujtesës, por në të njëjtën kohë përmirësojnë funksionimin konjitiv të trurit. Në këtë konkluzion kanë arritur ekspertët, të cilët janë bazuar në studimet laboratorike që kanë zgjatur dy muaj. Eksperti Shibu Pulose, i cili ka botuar një studim tek “Daily Telegraph”, thotë: “Lajmi i mirë është se komponimet natyrore që gjenden në këto fruta, si dhe në frutat me lëvozhgë të fortë posedojnë ndikim antioksidues, prandaj edhe mbrojnë trurin nga plakja”. Ai thekson se polifenoli që gjendet në manaferra, ndihmon qeliza të caktuara, që marrin pjesë në mbrojtjen e organizmit nga cistet helmuese, që janë përgjegjëse për plakjen, humbjen e kujtesës, si dhe mbrojtjen e shëndetit mendor.

Ndër citruset më të njohura mjaft të pasura me vitaminë E dhe minerale të ndryshme janë portokalli, limoni, mandarina. Portokalli dhe mandarina, të cilat janë edhe frutat e stinës, janë të ngjashme për sa i takon përmbajtjes së tyre. Lëvorja e portokallit është plot me antioksidantë të fuqishëm të quajtur superflavonidë, të cilat ndikojnë ndjeshëm në reduktimin e nivelit të kolesterolit. Sipas hulumtimeve të bëra në SHBA, antioksidantët që gjenden në lëvore janë 20 herë më të fuqishëm se ata në lëngun e shtrydhur të portokallit. Shtojeni lëvoren e prerë në rende në ëmbëlsira që të përforconi ushqimin dhe të fitoni një aromë të mirë. Më së miri është të hidhet e tërë lëvorja e portokallit në shtrydhëse frutash dhe të përfitohet gjithçka që fsheh kjo lëvore e pasur. Vetëm mos harroni ta lani mirë lëvoren para se ta fusni në shtrydhëse. Citruset (agrumet) janë familja e frutave që kontribuojnë për shëndet më të mirë, freskinë e trupit dhe bukurinë e tij në shkëlqim të plotë.

Lëngu i mandarinës ka kalcium, kalium, magnez, fosfor, hekur, zink, bakër si dhe disa antioksidues. 100 gramë mandarine përmbajnë 30 mg vitaminë C, 100 gramë portokall përmban 50 mg vitaminë C. Përveç vitaminës C, 100 gramë mandarina ka 160 mg kalium i cili luan rol në punën e mirë të zemrës, pastaj vitaminat e grupit B, minerale, kalcium, magnez, zink etj. Në përgjithësi, këto fruta kanë vlera të vogla energjetike. 100 gramë mandarina na japin vetëm 34 kilo kalori. Mandarina është e pasur me fibra të cilat e ndihmojnë procesin e tretjes. Materiet kimike më të rëndësishme të mandarinës janë flavonoidet dhe terrenet, si dhe ksantofili që i jep mandarinës ngjyrën e portokalltë. Ky frut në vete përmban betakarotine, të cilat gjatë shpërbërjes në organizimin e gjitarëve ndihmojnë në sintezën e vitaminës A e cila ndihmon për shikim (sy) si dhe lëkurë të butë.

Për më pak stres

Koktej nga lëngu i mandarinës. Lëngu i shtrydhur nga 100 gramë mandarina përmban 160 mg kalium, 18 mg kalcium, 8 mg magnez, 14 mg fosfor, pastaj hekur, zink, bakër si dhe materie fito-kimike antioksiduese. Nëse keni përjetuar javë stresuese, nuk jeni ushqyer në rregull apo keni probleme me tretje të ushqimit, një detoksifikim i organizmit me aromë të mandarinës do t’ju ndihmojë shumë. Ne ju propozojmë që gjatë fundjavës, që nga mëngjesi i së shtunës, së dielës dhe të hënën, të pini këtë koktej dhe do të jeni të gatshëm dhe dinamik për javën e re.

Një banjë me mandarina

Lëvorja e mandarinës, si dhe e portokallit dhe limonit, përmbajnë vajra eterikë. Ato mund të përdoren si shtesa për kulaçe, çaje madje edhe si shtesa për banjë mjekuese. Nëse dëshironi të relaksoheni në banjë mjekuese për lëkurë të freskët dhe të pastër, apo kundër pagjumësisë, vaji eterik nga lëvorja e mandarinës është jashtëzakonisht i mirë dhe vepron edhe si antiseptik. Banjën aromatike mjekuese e përgatitni duke i vendosur në ujë të ngrohtë lëvoret e thara dhe të njoma të mandarinës. Përndryshe në restaurante të ndryshme, lëvorja e mandarinës përdoret edhe si pjesë përbërëse e sallatave dhe gjellëve të ndryshme.

Përgatiti: Albina Hoxha

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
“Hë tani, mjaft bëre sikur ke punuar me kazmë. Ulur ke qenë gjithë ditën!” Janë fjalë të dëgjuara shpesh prej personave që zakonisht punojnë përpara kompjuterit. Ankesa për ndonjë dhimbje koke, mesi apo shpine, merr zakonisht një përgjigje jo të këndshme dhe të shpjegosh se qëndrimi ulur nuk është shumë i rehatshëm, nuk merr ndonjë reagim të këndshëm. “E megjithatë kompjuteri është si një kazmë e fshehur”, thotë fizioterapisti Leonard Xhillari, ndërsa e pyet lidhur me dëmet që mund të shkaktojë ky qëndrim tek personat.

Sipas tij, në përgjithëse shqiptarët nuk kanë një edukatë të të qëndruarit në mënyrë korrekte në karrige apo qoftë edhe në ecje. Apo për të qenë më të qartë, kanë një mungesë të madhe kulture në këtë drejtim. Dhe një gjë e tillë nuk është thjesht problem estetike, por sjell pasoja të rënda mbi shëndetin e gjithsecilit.

Për mënyrën e të qëndruarit fizioterapisti Leonard Xhillari e nis kritikën që nga momenti kur i afrohesh për intervistë. “Ju si fillim dua t’ju them se nuk po mbani një qëndrim të trupit në mënyrë korrekte. Në çdo moment duhet të kemi kujdes të madh për shtyllën kurrizore, pra që disqet intervebrale të rrinë sa më mirë”, thekson ai.

Më tej ai shpjegon mbi kulturën e vendit tonë për mënyrën se si qëndrojnë, pasojat dhe se si duhet të kemi një qëndrim sa më të rregullt.

Doktor, flitet shpesh për një qëndrim jo të rregullt, sidomos para kompjuterit…

Mund të them se ky problem është sidomos për ata që rrinë me orë të tëra para kompjuterit. Sepse njerëzit humbasin aty dhe më pas krijojnë një qëndrim jo të rregullt, duke kërrusur shtyllën kurrizore dhe duke i futur shpatullat brenda. Një gjë e tillë sjell shqetësim. Pasojat fillojnë me mpirjen trupit, që është e dëmshme dhe e rrezikshme. Është mirë që herë pas here të bësh ndonjë ecje rreth e qark, në mënyrë që trupi të qetësohet.

A vihet re ndonjë mënyrë të edukuari në popullatë se si duhet të qëndrojmë?

Vihet re një mungesë totale informacioni dhe këtë e shoh edhe tek pacientët që vijnë këtu. Kjo gjë vihet re tek të gjitha moshat. Le të marrim si shembull vajzat, duke qenë se përbëjnë shumicën që kanë probleme. Gjithçka fillon që në adoleshencë, në moshën 14-15 vjeç, kur ato nisin të kenë një zhvillim të gjoksit. Në këtë rast, duke u ndjerë keq përpara babait apo vëllait, ato fillojnë të kërrusen në mënyrë që ky zhvillim i tyre të mos vihet re. Por kjo sjell pasoja për shtyllën kurrizore. Ajo çka vihet re është fakti se prindërit nuk iu shpjegojnë vajzave se ky qëndrim nuk është estetik dhe i shëndetshëm. Nënat, por edhe baballarët, duhet t’u thonë se është mrië të qëndrojnë drejt.

A ka lidhje mënyra e të qëndruarit kërrusur me mentalitetin në përgjithësi?

Padyshim që po. Edhe në punë apo diku tjetër po të shohësh dikë që rri drejt, mban shpatullat drejt, njerëzit janë të prirur të thonë: “Shiko si po bën ky ose ajo, si kapërdiset”. Në fakt, personi që rri ashtu e ndien veten shumë mirë dhe një trup sa më drejt që rrijë në një kënd 90 gradë, aq më mirë është. Një mënyrë e gabuar vihet re edhe në shtëpi, kur njerëzit rrinë mbi kulltuqe apo divanë. Qëndrojnë të varur e të kërrusur në një mënyrë aspak të shëndetshme dhe problemet janë në këto raste edhe për pjesën e qafës. Kështu, mënyra e të qëndruarit është diktuar disi edhe nga vetë shoqëria. Unë mendoj se duhet edukimi i të gjitha brezave.

A mendoni se mund të përfshihet në kurrikulat mësimore se si duhet të qëndrohet në bankë, tavolinë dhe kudo?

Mesa di unë këto, kurrikula nuk ekzistojnë. Por do të ishte shumë mirë të ishin. Edukimi duhet të fillojë që në shkollë. Kjo është shumë e rëndësishme.

Pasojat e të qëndruarit në mënyrë të vazhdueshme jo në mënyrë korrekte cilat janë?

Janë të shumta. Fillon me dhimbje të shtyllës kurrizore, dhimbje koke, marramendje, përzierje. Një gjë e tillë bën që njerëzit të mos ndihen mirë as psikologjikisht, të kenë shqetësime, të nxehen shpejt, ndërkohë që mund të kalohet edhe në spoliartrozë.

Po sa i takon kushteve e të fjeturit, a janë të rëndësishme?

Sigurisht, krevati, dysheku dhe jastëku duhet të jenë në harmoni dhe të plotësojnë kushtet për një qëndrim sa më të rregullt.

Cilat janë profesionet që vuajnë më shumë nga qëndrimi jo i rregullt i trupit?

Mendoj se janë të gjithë ata persona që qëndrojnë me orë të tëra në karrige para kompjuterit. Madje, kompjuteri është quajtur si një kazmë e fshehtë që ndikon negativisht mbi shëndet, sepse para kompjuterit harrohesh për orë të tëra.

Është vënë re një ndërgjegjësim i njerëzve që duhet të fillojnë aktivitete fizike? Është mirë që këto ushtrime të kenë një udhëheqës apo mund të bëhen vetë?

Jo, është më mirë që të ketë një instruktor. Pasi në rast se bëhen ushtrime të gabuara, kjo mund të sjellë probleme në shtyllën kurrizore të personit të sëmurë. Mund të vihen ndoshta pesha që nuk janë të përshtatshme ose janë më të rënda seç duhet dhe kjo mund të çojë në një rëndim të situatës. Kështu që çdo gjë duhet të jetë mirë e kontrolluar dhe para se të nisen ushtrimet, është mirë që të ketë një instruktor për atë që duhet bërë.

Cila është mosha mesatare e personave që kanë probleme?

Le të themi 30-35 vjeç. Dhe shumica e pacientëve janë femra. Ka nga probleme të lehta që janë dhimbjet e mesit apo të shpinës, deri në ato të vështirat që nënkuptojnë spoliartrozën

Qëndrimi ulur, vithe më të gjera

Qëndrimi ulur ju bën të keni të ndenjura më të mëdha. Ky lajm mund të bëjë të rrahë zemra e çdo punonjësi zyre. Por shkencëtarët janë shprehur se qëndrimi ulur për një periudhë të gjatë kohe ju bën që të keni një shtim shëndeti në vithe. Zbulimi shokues erdhi pasi u verifikua se trysnia që ushtrohet nga trupi në pozicionin ulur prodhon 50 përqind më shumë shëndet në vithe se në pjesë të tjera.

Kërkimet tregojnë se përse personat që qëndrojnë ulur për një kohë të gjatë dhe që kanë një jetë jo shumë aktive shtojnë shumë në peshë, sidomos kur ky lloj qëndrimi kombinohet me një dietë jo të shëndetshme dhe mungesë ushtrimesh. Më e bezdisshme për më tepër, është fakti se kërkimet tregojnë për të parën herë që edhe personat që ushqehen shëndetshëm dhe janë aktivë, do të kenë probleme në rastet e qëndrimit për një kohë të gjatë pas një tavoline.

Duke studiuar muskujt e pacientëve të paralizuar pas dëmtimeve të shtyllës kurrizore, u pa se me kohën qelizat yndyrore kishin filluar të pushtonin shumicën e muskujve në organe. Kjo bëri që të nisnin kërkimet lidhur me funksionimin e këtij mekanizmi dhe fusha e kërkimeve u zgjerua. U vu re se qelizat që qëndronin për një kohë të gjatë të tërhequra kishin rreth 50 përqind më tepër mundësi për të krijuar dhjamë.

Profesori Amit Gefen, i Universitetit të Tel Avivit tha se “obeziteti është më shumë se një disbalancim i kalorive. Qelizat në vetvete janë gjithashtu përgjegjëse për lëvizjen. Qelizat yndyrore prodhojnë më shumë trigliceride dhe me një ritëm më të lartë kur i nënshtrohen një tërheqjeje statike.

“Ka shumë mënyra se si qelizat mund të kuptojnë ngarkesën mekanike. Duket se qëndrimi mekanik statik për një kohë të gjatë, përfshirë peshën e trupit kur rrimë ulur apo shtrirë, ka një impakt në rritjen e prodhimit të yndyrës”.

Këto zbulime tregojnë se duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe lëvizjes mekanike të qelizave tona, ndërsa marrim parasysh kaloritë që konsumojmë dhe djegim”, u shpreh profesori Gefen. Ai paralajmëroi se ndërsa ka raste ekstreme kur njerëzit janë lidhur pas një karrigeje për shkak të kushteve shëndetësore, njëkohësisht ka edhe të tjerë që bëjnë një jetë sedentare duke e kaluar shumicën e ditës pas një tavoline. Edhe një person me dietë të shëndetshme dhe që bën ushtrime do të ketë ndikime negative për shkak të periudhave të gjata të pasivitetit.

Përgatiti: Arlinda Gjypi

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
Përkëdheljet e nënës gjatë moshës së fëmijërisë ndihmojnë fëmijën që t’i rezistojë tundimit të përdorimit të drogës në moshë madhore.

Përfundimi i një universiteti australian tregon se kujdesi i nënës në fëmijëri ndikon për të ndryshuar përgjigjen ndaj impulseve të ndryshme të trurit.

Në një studim tek kaviet, u arrit në përfundimin se ato që ishin rritur në një inkubator me nënën, duke patur kontakt të shpeshtë me të, kishin në trupin e tyre një përmbajtje shumë të lartë të molekulës “Interleukin-10”.

Një molekulë e tillë i bënte kaviet shumë më rezistuese ndaj morfinës, një substancë që krijon varësi. Tek kaviet që ishin rritur larg nënës, varësia ndaj morfinës krijohej shumë më shpejt se tek grupi i parë.

Mënyra se si trupi i kavieve reagon ndaj substancave droguese është pothuajse e njëjtë me atë të njeriut. Tek njeriu, përkëdheljet e nënës ndikojnë për të krijuar një imunitet më të lartë ndaj substancave që krijojnë varësi.

Kjo do të thotë se individët që në fëmijëri i nënshtrohen përkëdheljeve të nënës në fëmijëri, e kanë më të vështirë që të nisin përdorimin e këtyre substancave dhe edhe nëse kjo ndodh, e kanë më të lehtë të distancohen.

Burimi: Top Channel


 

    Shëndeti

    Në këtë portal ju do te gjeni informacione rreth Shëndeti