Picture
Disa gra thjesht e dinë se kanë pasur ovulacionin. Disa gra tjera nuk vërejnë kurrfarë ndryshimi…

Nëse mendoni që të mbeteni shtatzënë “komunikoni” me trupin tuaj dhe kërkoni shenjat natyrale që tregojnë se ovulacioni po afrohet. Këto shenja janë:

- sekreti vaginal shtohet sa më shumë që i afroheni kohës së ovulacionit. Ky sekret është i lëngshëm, i ngjashëm me të bardhën e vesë.
- shtohet libido
- ndjeni një dhimbje të lehtë në njërën anë të barkut

Për të determinuar kohën kur ju duhet t’i keni këto shenja, përdorni kalkulatorin e ovulacionit. Konsultohuni me gjinekologun tuaj për të t’ju sqaruar shenjat e ovulacionit.

Gjinekologët mendojnë se gjasat për të mbetur shtatzënë janë maksimale nëse çifti ka marrëdhënie seksuale 2 ose 3 herë në javë. Këtë provoni për disa muaj dhe pastaj nëse nuk keni sukses bisedoni me gjinekologun. Ai duhet t’ju ndihmojë dhe t’ju tregojë mënyrën se si të detektoni kohën e ovulacionit.

Burimi: Telegrafi


 
 
Picture
Një diferencë e presionit sistolik mes krahut të djathtë dhe atij të majtë, e barabartë me 15 milimetra mërkur, mund të jetë treguese e një predispozite më të madhe për rreziqe kardio-vaskulare.

Kështu thotë një studim i publikuar online nga revista “The Lancet”, e kryer nga ekspertë të Peninsula College of Medicine, në Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët kanë analizuar 28 studime të mëparshme dhe shpjegojnë se ky fenomen shfaqet si pasojë e ngushtimit dhe ashpërsimit të arterieve.

Burimi: Top Channel


 
 
Picture
Shkencëtarët studiuan anamnezat e 80 mijë pacientëve që mendohet të kenë pësuar infarkt për shkak të ajrit të papastër dhe studimet treguan se midis ajrit të papastër dhe kësaj sëmundjeje, ekziston vërtet një lidhje e ngushtë.

Shkencëtarët, madje, arritën në përfundimin se rreziku i infarktit mbetet edhe gjashtë orë pas largimit nga vendi me ajër të pisët. Ende nuk është i qartë mekanizmi i ndikimit të gazrave mbi muskujt e zemrës, megjithatë, specialistët mendojnë se ky rrezik ka lidhje me lëndët që përmbajnë gazrat e ndryshëm, sidomos nga ato të djegies së naftës dhe të benzinës në motorët e automobilave. Këto lëndë “trashin” gjakun dhe provokojnë plasjen e enëve të gjakut.

Shkencëtarët mendojnë se gazrat nuk janë faktorë i vetëm, por ato, kur bashkohen me faktorë të tjerë, e dëmtojnë rëndë zemrën.

Burimi: Telegrafi


 
 
Picture
Pak kush nuk po kalon një grip të tmerrshëm këto ditë. Stina e ftohtë bën që virozat gripale të jenë më të shpeshta dhe të na vijnë rrotull të gjithëve. Shkak nuk bëhen vetëm temperaturat e ulta, por edhe mungesa e rrezeve të diellit. Këta dy faktorë ulin rezistencën dhe dobësojnë sistemin imunitar. Dietologia klinike, Blerina Bombaj, shpjegon se konsumi i rregullt i disa ushqimeve na ndihmon të rrisim forcën e trupit për të luftuar patogjenet sezonale. Këto ushqime janë të pasura në minerale, vitamina dhe fitokimikate të cilat ndihmojnë eliminimin e mikrobeve, forcojnë imunitetin dhe ulin inflamacionin dhe simptomat e zakonshme të gripit.

Si të parandalojmë sëmundjet virale të dimrit nëpërmjet ushqimeve?

Duke ngrënë ushqime të papërpunuara (si psh farat e susamit, selino, fasule, bajame, kashius, drithëra të plota, fara luledielli dhe kungulli, kakao). Ato mund të bëjnë mrekullira për organizmin tonë në sajë të përmbajtjes së lartë në mineralit zink. Ky mineral ka veti të konsiderueshme antibakteriale, antimykotike dhe përforcuese për imunitetin duke e bërë një aleat të përsosur kundër sëmundjeve sezonale. Pra, forconi organizmin me “super-ushqime”.

Dhe cilat janë konkretisht këto super ushqime?

Zarzavatet si brokoli, qepët, hudhrat, domatet, karrotat, lakra e bardhë, spinaqi dhe kërpudhat janë ato që na ofrojnë mbrojtje ekstra gjatë stinës së dimrit. Duke i ngrënë këto zarzavate sa më pak të gatuara ose dhe krejtësisht të freskëta do të përfitonim maksimumin e vlerave të tyre ushqyese. Nga frutat preferoni limonat, portokallet, qitro, bananet dhe kumbullat vishnje. Për gatimet tuaja preferoni erëza si rigoni, xhinxheri, kajeni dhe kanella.

Po sa i takon pijeve…

Duke pirë lëng limoni të shtrydhur ose çaj ndihmon në ekuilibrimin e pehashit (PH) në gjak. Një ambjent acid është shumë i favorshëm për mikro-organizamat patogjene dhe zhvillimin e mykut. Pini mjaftueshëm ujë natyral për të lehtësuar punën e veshkave në largimin e toksinave dhe preferoni çajin jeshil pa sheqer gjatë ditës për të qenë në formë. Vitamina D është e famshme për rëndësinë e saj jetike në mirëmbajtjen e kockave dhe përthithjen e kalciumit. Me pak të “famshme” janë vetitë e saj në mbrojtjen ndaj ftohjeve dhe gripit. Kjo vitaminë merret kryesisht nga rrezet e diellit. Ajo është e kufizuar në ushqime megjithatë kërpudhat e përmbajnë në sasi të kënaqshme.

Disa “formula” shtëpie për të qetësuar simptomat e ftohjes dhe gripit?

Mjaltë me limon: një lugë mjaltë është përdorur ndër shekuj për të qetësuar fytin e acaruar. Duke i shtuar dhe një gjysmë limoni të shtrydhur ndihmon në shpërbërjen e mukozës në grykë.

Avuj kamomili: jo vetëm çaji i kamomilit, por edhe avujt e tij në zierje e sipër mund të ndihmojnë në qetësimin e rrugëve të frymëmarrjes. Çaji i kamomilit ndihmon tretjen dhe gjumin.

Çaji i mentes ul temperaturën e lartë: gjethet e mentes mund të hidhen në çajin e malit dhe ndihmon në uljen e temperaturës, por edhe për pastrimin e sinuseve.

Çaj xhinxheri: xhinxheri është një bimë aziatike, e ngjashme në ngjyrë me pataten. Ajo gjendet lehtë edhe në tregun tonë. Çaji i xhinxherit ose përdorimi i tij i rregullt në gatime të ndryshme është shumë i dobishëm për organizmin tonë.

Kos me probiotikë: probiotikët janë mikro-organizma që përmirësojnë dhe forcojnë shëndetin e aparatit tonë tretës. Ne mjekësi ka shumë zëra që mbështesin teorinë se imuniteti dhe shëndeti fillon nga zorra! Duke pasur një aparat tretës të shëndetshëm, është shumë e vështirë të mundemi nga virozat dhe mikrobet e ndryshme që na vijnë rrotull në stinën e dimrit.

Po ushqimet që duhen evituar?

Armiku kryesor i sistemit tonë imunitar duket se është sheqeri! Është mirë të kufizoni sasinë e sheqerit dhe ushqimeve që janë përgatitur me të.

Ndonjë këshillë shtesë…

Mos neglizhoni respektimin e një regjimi të rregullt për sa i përket jo vetëm ushqimit, por edhe fjetjes. Gjumi është një faktor vendimtar në mirëqenien tonë shëndetësore. Gjatë orëve të gjumit trupi ynë aktivizon mekanizma të cilët mbajnë funksionin imunitar në formë. Lëvizni më shumë në këmbë. Kontrolloni stresin….. nëse mundeni, sa të mundeni!

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
Çrregullimet e shëndetit mendor nuk kanë prekur vetëm të rriturit, por edhe fëmijët dhe adoleshentët. Aktualisht trajtimi i tyre bëhet në psikiatri dhe në të shumtën e rasteve ka mungesë të psikiatërve apo të specialistëve të fushës. Referuar të dhënave të shëndetit publik, 1 në 4 persona në Shqipëri vuan nga shqetësimet mendore dhe në shumicën e rasteve këta persona nuk riaftësohen. Pikërisht në lidhje me këtë problematikë dje në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë u diskutua projektligji “Për Shëndetin Mendor”.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, referoi se për të luftuar stigmën dhe përmirësuar situatën Ministrisë së Shëndetësisë i janë dashur 7 vjet konsulta për të sjellë një draft të ri për ata që vuajnë nga shëndeti mendor. Në thelb të projektligjit qëndron ngritja e shtëpive komunitare për personat që vuajnë nga çrregullimet mendore, dhe jo më psikiatritë, vendet e vetme ku janë trajtuar deri më sot. Shtëpitë komunitare nënkuptojnë hapësira në të cilat, të sëmurëve u mundësohet krijimi i një ambienti shumë pranë normalitetit.

Nga ana e saj opozita në komision kuvendor të shëndetësisë u shpreh e shqetësuar për numrin e paktë të psikiatërve dhe mungesa e ruajtjes së kofidencialitetit të pacientëve.

“Është me interes të dimë nëse ky projektligj do të shoqërohet me një barrë financiare. A keni menduar për stafin e kualifikuar sepse një psikiatër që ka shërbyer në psikiatri nuk mund të shërbejë edhe në një shërbim komunitar, ç’ka do të thotë se duhen specialistë të fushës”, theksoi deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, duke shtuar se nga ana tjetër duhet të sigurohet edhe bashkëpunimi i pushtetit vendor për shtëpitë komunitare.

Ministri i shëndetësisë tha se ka vend për t’u përmirësuar shërbimi në psikatri dhe ngritjen e sa më shumë shtëpive komunitare. Ndërsa konfidenacialiteti, sipas Vasilit është i rregulluar me ligj.

Në draft, neni 7 përcakton për herë të parë të drejtat e të sëmurëve. Ato lidhen jo vetëm më mënyrën e trajtimin, por edhe me të drejtën për të kërkuar shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga keqtrajtimet e mundshme. Në anën tjetër, trajtimi i pavullnetshëm i këtyre personave për herë të parë do të vlerësohet me vendim gjykate.

Ndërkohë, ligji aktual anashkalon shërbimet e shëndetit mendor dhe komunitar dhe procesin e rëndësishëm të deinstitucionalizimit që në reformat që po ndërmerren për shëndetësinë paraqiten si parësore. Ligji në fuqi gjithashtu lë hapësira për keqinterpretimin e të drejtave të personave me çrregullime mendore gjë që është vënë në dukje disa herë nga organizma kombëtare dhe ndërkombëtare si Avokati i Popullit. Sipas ministrit Vasili, projektligji është hartuar me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe ekspertë të fushës.

“Si shërbime të shëndetit mendor projektligji përcakton shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor, shërbime e shëndetit mendor komunitar, shërbimin e shëndetit mendor të specializuar me shtretër dhe institucionin e psikiatrisë ligjore. Duke përjashtuar psikiatrinë ligjore shërbimet e tjera ofrohen edhe nga iniciativa private fitimprurëse ose jofitimprurëse”, pohon Vasili.

Gjithashtu projektligji korrigjon një praktikë të papërshtatshme dhe abuzive si nga këndvështrimi i ofruesve të shërbimit, ashtu edhe nga përfituesit e shërbimit që lidhej me detyrimin e të sëmurit për tu shtruar në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor të specializuar me shtretët me qëllimin e vetëm të diagnostikimit në spital për t’u shqyrtuar nga KMCAP-ja (shqyrtimin e aftësisë për punë).

Shtrimi i detyruar i personit për të përfituar nga skema e sigurimeve shoqërore ka rritur fiktivisht shtrimet, pra ka sjellë kufizimin e lirisë së personit. Për këtë arsye është vendosur që trajtimi i personit me çrregullime mendore në shërbimin e shëndetit mendor të specializuar me shtretër nuk mund të shërbejë për asnjë rast për qëllim të shqyrtimit të aftësisë për punë.

Burimi: Gazeta Shekulli


 
 
Picture
A po rritet mirë? Kjo është pyetja që çdo nënë bën miliona herë, madje kur bëhet fjalë për të folurën ose ngritjen në këmbë, pyetjet mund të jenë pa fund. Dihet që fëmijët rriten shpejt, ndaj për këtë arsye është e rëndësishme që zhvillimi psiko-motor të jetë në kohën e duhur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rritja e fëmijëve duhet të ndjekë ndonjë rregull preciz të shkruar në letër. Kështu, nëse foshnja juaj nuk është ngritur ende në këmbë, edhe pse tashmë ka mbushur gjashtë muaj, nuk keni pse të shqetësoheni: koha e duhur është nga gjashtë deri në dhjetë muaj. Ka ende shumë kohë përpara. Më e rëndësishmja është që të paktën ka mësuar të qëndrojë ulur, ose të ecë këmbadoras, gjë që logjikisht pas pak kohësh do ta ndihmojë për t’u ngritur në këmbë. Megjithatë jo të gjithë fëmijët janë njësoj. Disa rrëshqasin mbi bark, duke tërhequr këmbët zvarrë, pastaj mësojnë menjëherë të ecin. Më e rëndësishmja është që të lëvizin dhe sidomos të luajnë me lodra. Në këtë mënyrë, hapat e parë duke u zvarritur do të bëhen më shpejt nga ç’e kishit parashikuar. Në fakt ka shumë fëmijë që nuk mësojnë asnjëherë të ecin mirë këmbadoras, por rrëshqasim me prapanicë me ndihmën e këmbëve, ose në këtë fazë të parë zvarriten me bark.

Në fakt, e rëndësishme është që të lëvizë, që të zhvillojë këtë formë të parë pavarësie (bebja duhet të mësohet me mendimin se arrin të lëvizë vetë në mënyrë efikase). Pas kësaj, menjëherë mund të mësojë të ecë. Do të shihni që brenda një viti do të jetë mësuar me të ecurën dhe kjo do të jetë një periudhë shumë e rëndësishme si për nënën, edhe për beben. Pasi të fitojë sigurinë e plotë, do të shihni që brenda një minute do të zhduket e do të rishfaqet në cepa të ndryshëm të shtëpisë.

Kur themi këtë nuk duhet të shqetësoheni, nuk e kemi fjalën që të mos kujdeseni fare për këtë fazë të rëndësishme të zhvillimit të foshnjës. Për ta nxitur të voglin që të ecë këmbadoras është e rëndësishme që herë pas here ta lini shtrirë përmbys, në mënyrë që ai të fillojë të zvarritet. Po ashtu, kur fëmija luan me lodra, afrohuni dhe ju që të luani bashkë me të dhe shtyjeni drejt gjërave që nuk mund të kapen me dorë, në mënyrë që ta vini në lëvizje. Duke luajtur me të vegjlit në mënyrë konstruktive është mënyra më e mirë për të nxitur zgjuarsinë dhe zhvillimin e tyre, një metodë e pagabueshme që mes shumë avantazheve, kjo gjë ju dhuron edhe shumë emocione të paharrueshme.
Gjuha e tyre

Pas lindjes, foshnjat fillojnë të komunikojnë dhe të dërgojnë sinjale, sipas të cilave të rriturit duhet të kuptojnë se ata janë të lodhur ose të uritur, apo e kundërta dëshirojnë të luajnë. Ata mësojnë dhe zhvillohen çdo ditë, ndërkohë që detyra e prindërve është të ndihmojnë në zhvillimin e këtyre proceseve pa kushte. Duke u kujdesur për beben prindërit kuptojnë shenjat e tij (“gjuhën e bebeve”). Nëse ata nuk i njohin dhe nuk u përgjigjen këtyre sinjaleve, foshnja reagon me të qarë. Të porsalindurit nuk e kuptojnë që janë persona të veçantë. Nuk e dinë se kush i ushqen dhe kush i ndihmon kur qajnë. Qeshin që në javën pestë ose të shtatë, ndërkohë që qeshin me zë kur mbushin tre muaj. Pjesa më e madhe e bebeve para se të mbushin tre muaj qajnë shumë, sidomos pasdite dhe në mbrëmje.

Tetë javët e para foshnjat nuk i kontrollojnë lëvizjet që bëjnë dhe aktiviteti i tyre fizik është refleksiv – i pavullnetshëm. Kur zgjohen, ata lëvizin trupin. Në këtë periudhë janë të pranishme reflekset primitive, refleksi i të thithurit, i të kapurit, i të lëvizurit, etj. Rreth javës së tetë mësojnë të lëvizin kokën edhe kur janë të shtrirë barkas. Në muajin e tretë fillojnë të shohin duart dhe shputat e veta, duke i lëvizur në ajër; fillojnë t’i lëvizin grushtet drejt fytyrës së atyre që u rrinë para, ose drejt ndonjë objekti të cilin duan ta prekin. Për të porsalindurit mënyra e vetme e komunikimit është e qara. Normalisht nëna duhet t’i përgjigjet sa më herët, në mënyrë që bebja ta kuptojë se ju jeni aty me të. Kur është 7-8 javësh fillon të zbulojë zërin e tij dhe të prodhojnë tinguj zanorë. Rreth javës së tetë dëgjon kur e thërrisni ose i flisni, duke u përgjigjur me tinguj të caktuar sikur flet.

Burimi: Gazeta Shqip


 
 
Picture
Janë të shumta këshillat për të pasur një shëndet të mirë. Shpesh bëhet fjalë për këshilla shumë provokative, pasi për shembull disa ngulmojnë se është mirë që të marrësh multivitamina me shumicë, për shkak se reduktohet rreziku i kancerit. Të tjerë thonë të kundërtën. Në lidhje me parandalimin e kancerit flitet edhe se të bën dëm që të qëndrosh pasiv dhe të kesh një jetë sedentare, për të mos folur për duhanin. Ndërkaq ka edhe një numër të madh këshillash për ushqimet e mira, ose të ashtuquajturat “superushqime” që ndihmojnë organizmin në parandalimin e sëmundjeve në përgjithësi dhe të kancerit në veçanti, siç është për shembull domatja. Në fakt sipas mjekëve, njeriu ka shumë në dorë për sa i përket stilit të jetesës, që t’i japë vetes një jetë të shëndetshme, veçanërisht në pleqëri kur trupi ka nevojë më shumë për mbështetje dhe energji. Këtë e thotë edhe një mjek onkolog, i cili ka 20 vite që merret me sëmundjet kanceroze. Sipas tij është më efikase dhe më e mirë që parandalosh një sëmundje se sa ta kurosh. Gjithsesi në tërësinë e masave që duhen marrë në këtë drejtim, ai vetë ka nxjerrë disa nga masat që në të vërtetë do të ishin shumë të dobishme për parandalimin e kancerit. Dhe bëhet falë për masa që mund t’i marrë pa vështirësi çdokush prej nesh, duke filluar nga blerja e këpucëve të rehatshme dhe komode e deri te vendosja e orareve në konsumimin e vakteve. Dhe të gjitha këto rregulla mbështeten në prova shkencore. Bindja e tij prej eksperti është se pikërisht përmes parandalimit, mund të fitojmë shumë në luftën kundër kancerit. Sipas tij, kanceri është armiku i fundit që i qëndron në “kokë” fatit të çdo një në tre grave në rang botëror dhe një në dy burra. Ai thotë që mund të mos arrijmë që të kuptojmë kurrë një sëmundje si kanceri dhe se një e vërtetë tjetër është se një parandalim i mirë është më efikas edhe se një kurë jashtëzakonisht e mirë. Sipas tij, kanceri është si një gjigant i fjetur brenda të gjithëve ne. Ndonjëherë qëllon që të zgjohet befas, herë të tjera me ngadalë dhe në raste të tjera fare dhe këtu kemi të bëjmë me individë me fat. Por në shumë raste, para se të “zgjohet”, ai luftohet heshtur nga mekanizmat e shumtë që ka trupi kundër tij.

Zakonisht problemet ndodhin kur diçka e dobëson mekanizmin tonë mbrojtjes. Në atë moment, qelizat nisin që të funksionojnë keq dhe tumori kanceroz zhvillohet jashtë çdo kontrolli. Ai beson se mënyra më e mirë për të parandaluar kancerin është të bërit çdo gjë që është e mundur për ta parandaluar përmes mënyrave të thjeshta të jetës së përditshme, për një trup të shëndetshëm dhe sa më pranë natyrës. Trupi ynë në mënyrë të vazhdueshme është në kërkim të situatës së homeostazës në të cilën të gjitha sistemet e brendshme janë në perfeksion, në balancë të përkryer. Kur e rëndojmë trupin tonë me shumë strese, me shumë probleme si dhe me substanca të vështira për t’u tretur dhe përballuar si droga, apo alkooli apo edhe të ngrënët e tepruar, atëherë kjo situatë e brishtë balance brenda trupit nis dhe prishet dhe në këtë çarje futet sëmundja. Këto janë edhe momente gjatë të cilave kemi shanset më të mëdha për t’u sëmurë. Mjeku këshillon hapa që janë jashtë të menduarit konvencional, si për shembull vë në dyshim përdorimin e multivitaminave, si të disa pilulave që thuhet se kanë të gjitha elementet e frutave dhe perimeve të freskëta që i përdorim shpesh në ditë. Ai thotë se edhe pse pikëpamjet e tij mund të duken si jo të zakonshme, të gjitha kanë mbështetje në fakte shkencore. Një nga këshillat është mënyra se si i mbajmë këmbët, çfarë lloj këpucësh veshim. Sipas tij këpucët e rehatshme, sportive, me lëkurë të mirë dhe komode janë shumë të rëndësishme për parandalimin e kancerit. Kjo sepse një këpucë e tillë redukton burimet e panevojshme të inflamacionit në trup. Inflamacioni është pjesë e procesit natyror shërues të trupit dhe shkaktohet kur trupi takon një stimul të dëmshëm, të tillë si ndonjë baktere, plagë, apo irritantë të tjerë. Megjithatë kur inflamacioni bëhet kronik, mund të jetë shkatërrimtar. Kjo mund të vërtetohet nga shumë prova. Dhe shumë sëmundje të rënda të njeriut, përfshi edhe ato të zemrës, lidhen me inflamacionin por edhe kanceri nuk përjashtohet aspak. Kanceri zakonisht shkaktohet nga gjene që janë të dëmtuar, apo me të meta. Gjenet mbajnë instruksione që më pas u thonë qelizave tona se çfarë duhet që të bëjnë dhe kjo është e koduar brenda AND-së sonë. Çdo gjë që dëmton AND-në apo godet procesin e saj natyror të vetëndreqjes mund të shkaktojë rrezik kanceri. Kur trupi përballet me inflamacionin kronik, trupi e ndalon procesin e tij vetëshërues për t’u përqendruar tek inflamacioni dhe lufta kundër tij. Dhe kur “dyqani” i riparimeve të trupit i ka ulur qepenat, atëherë bëhet shumë vulnerabël ndaj çdo lloj sëmundjeje. Ndaj nëse do të vishnim këpucë të parehatshme, që do të na vrisnin, apo do të na shtrëngonin, duke na shkaktuar plagë, do të thotë që do t’i shtojmë një sasi të panevojshme dhe të tepërt inflamacioni trupit. Nëse kjo do të ndodhte shpesh, atëherë trupi ynë do të mbingarkohej dhe do të ndodhte procesi i mësipërm. Një tjetër këshillë është ajo e mospërdorimit të multivitaminave, përveç rasteve të shtatzënisë, kur është e nevojshme për shkak të zhvillimit të fetusit. Edhe pse bëhet një propagandë e madhe është e vërtetuar tanimë se multivitaminat nuk e parandalojnë aspak kancerin, pra nuk kanë asnjë efekt mbi të. Madje në të kundërt, disa suplemente si vitamina E dhe vitamina C mund të dëmtojnë shëndetin.

Burimi: Gazeta Shqip


 
 
Picture
Është seksi gjeja  fundit që u shkon në mendje? A ju duhet shumë kohë për t’u nxitur dhe për ta arritur orgazmën? Nëse po atëherë mund të keni “keqfunksionim” seksual dhe nuk e jeni e vetmja. Rreth 43% e femrave kanë paraqitur “keqfunksionim” seksual duke filluar nga dëshira zero për të bërë seks dhe deri tek vështirësitë në arritjen e orgazmës. Shumë faktorë mund të ndikojnë në  kënaqësinë seksuale, duke filluar nga shkaqet mjekësorë , tek faktorët psikologjike deri tek mosmarrëveshjet në çift. Për t’u ardhur në ndihmë këtyre vështirësive studiuesja Rachel Grummam jep disa këshilla në artikullin e saj.
Depresioni 
Gjendja jo e mirë shpirtërore karakterizohet nga ndjesitë e të qenit i mërizitur, i pavlerë, i lodhur, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme, por padyshim edhe në jetën tuaj seksuale. Ende nuk është arritur të kuptohet shumë mirë se pse depresioni e ndikon seksin,  por një pjesë e shkakut mund të jetë se fakti që nuk ndiheni mirë me veten dhe vlerat tuaja, duke shtuar nivelin e ulët të energjisë “spërkat” edhe dëshirën për kënaqësi, pra për të bërë seks.
Çfarë mund të bëni?
Kërkoni ndihmën e duhur, sidomos nëse keni mendime të tilla si ideja për të kërkuar divorc. Ushtrime të ndryshme mund t’u ndihmojnë t’i risillni vetes buzëqeshjen, nivelin e energjisë duke rritur kështu nivelin e gjakut përveç se pjesët e tjera të trupit edhe tek organet gjenitale. Por vlen për t’u theksuar se disa mjekime të cilat përdoren për të kuruar gjendje tuaj depresive mund të ulin dëshirën tuaj seksuale dhe të ketë një efekt krejt negativ për t’u bërë sërish aktivë në marrëdhënien tuaj.
Imazhi
I dobët i trupit tuaj. Nëse mendoni se nuk keni një trup të bukur, duke filluar që nga duart  dhe deri tek gjoksi, të jeni të sigurt se do të ndikoni  negativisht dëshirën tuaj seksuale. “Nuk ka rëndësi nëse partneri ju thotë se jeni femra me e bukur dhe e nxehtë që ka takuar ndonjëherë, nëse nuk ndiheni e tillë ,asgjë nuk mund të ndryshojë mendimin tuaj.
Çfarë mund të bëni?
Mendoni si në të kaluarën. Risillni në mend kohën kur ishit në top formë seksualisht dhe mendonit se ishit më e mira. Ajo çfarë vishnit për shembull fustanin tuaj të zi të preferuar, çfarë parfumi përdornit, çfarë të brendshmet preferonit etj. Kjo mund t’u ndihmojë të sillni në mend zakonet dhe “intrigat” tuaja seksuale të dikurshme. Përkujdesja për fizikun dhe pamjen tuaj të jashtme mund t’u dhurojnë më shumë energji dhe të shtojën edhe më shumë dëshirën për seks.
Problemet në çift
Padyshim që problemet në çift mbeten numri një i cili ndikon më shumë eksitimin dhe orgazmën tuaj. “Është hidhërimi dhe mërzia e pathëne që çon në fyerje, shume meshkuj mund të mërziten nga bashkëshortja  e tyre që nuk i lë të dalin më shokët dhe të marrin kënaqësitë e djalërisë, ndërsa tek femrat mërzia shkaktohet nga puna e bashkëshortëve”, thotë studiuesja Rachell Grumman. Kjo mërzi nga na e dy partnerëve mund të “hedhë tutje” pasionin dhe epshin tuaj seksual.
Çfarë mund të bëni?
Flisni hapur me partnerit tuaj, por me qetësin në mënyrë që të lini mënjanë mërzinë dhe fyerjet të cilat dëmtojnë aq shumë marrëdhënien tuaj. Duhet të ndiheni e sigurt, e qetë dhe e dëshiruar ,në të kundërt një diskutim i vogël mund të bëhet shkak për të lënë për ditë të tëra pas dore aktivitetin seksual.

Marrë nga “Panorama. it”

Pyetje-Përgjigje
1-Përse gratë mund të kenë orgazma të shumëfishta?
Thuhet se gratë e haremit arrin deri 50 orgazma njëra pas tjetres. E pamundur? Jo. Sipas seksologëve, gruaja nuk e ka periudhën e ashtuquajtur refrektare (dmth atë gjendje në të cilën trupi pushon dhe nuk reagon ndaj stimujve), në të cilen hyn burri pas ejakulacionit. Ja pra përse ajo mund të arrijë orgazma njëra pas tjetrës. Duke ndjerë një emocion shumë më të thellë se burri. Eshtë meritë e klitoridit, organi i kënaqësisë femërore, që përshkohet nga 8.000 fibra nervore: dyfishin e penisit. Por kujdes ama. Shumë gra pas një orgazme janë të kënaqura dhe nuk duan të preken më.
2-Përse për burrin përmasat janë kaq të rëndësishme?
Shumë burra e masin burrërinë e tyre me centimetrat. Kjo ndodh sepse në nivel simbolik, penisi përfaqëson fuqinë, burrërinë, energjinë seksuale. Jo rastësisht fëmijët shikojnë në ekstazë ereksionet e para të tyre dhe djemtë studiojnë njeri- tjetrin dhe maten me moshatarët në dhomat e zhveshjeve apo të gjimnastikës. Kur rriten, nuk kanë më nevoje për krahasime, por të ndodhen pranë një gruaje që të komentojë me admirim përmasat e penisit të tyre, jo vetëm që u bën qejfin, por i bën të ndjehen të fortë, të fuqishen dhe të dëshirueshëm.
3-Përse kulmi seksual femeror është rreth moshës 30 vjeç dhe ai mashkullor rreth moshës 18 vjeç?
Në fakt, si tek gruaja edhe tek burri, koncentrimi maksimal i testosteronit (hormoni i deshirës seksuale) regjistrohet në moshën 20 vjeç. E nëse gratë kanë një pjekuri seksuale më të vonshme varet nga dy motive që nuk kanë të bëjnë me anatominë. I pari është kulturor, lidhet me tolerancën më të madhe shoqërore që, edhe sot, ekziston ndaj seksit mashkullor: djemtë i jetojnë eksperiencat e tyre më me qetësi se vajzat. Arsyeja e dytë është e tipit psikologjik: për vajzën, seksi dhe ndjenja shkojnë bashkë. Ja pra pse thonë se një grua jep më shumë në seks rreth moshës 30- 40 vjeç, dmth atëherë kur jeton marrëdhënie dashurie të qendrueshme dhe të rëndësishme.
4-Përse ai nuk do t’i thonë se ç’duhet të bëjë në shtrat?
Sepse asnjë burrë nuk do të komandohet me shkop, sidomos në dhomën e gjumit: kjo do ta bënte të ndjehej qesharak si një djalë i vogël. Dhe meqë ereksionet janë thellësisht të kushtëzuara nga mendja, një burrë i vënë nën trysni, do të humbte entusiazmin. Gruaja ideale? Ajo që është shumë pjesëmarrëse, që propozon dhe sugjeron në vend që të japë “leksione përdorimi”. Sekreti qëndron në moskufizimin me komunikimin verbal. Por t’ua lesh edhe delikatesave dhe gjesteve detyrën për t’u shprehur. Gjuha e trupit, në fakt, mund të jetë më e qartë se shumë fjalë dhe kultivimi i saj ndihmon për të krijuar një klimë shkëmbimi reciprok dhe jo mposhtjeje.
5-Përse gratë eksitohen me shumë nga fantazia sesa duke parë figuren e një burri lakuriq?
Sipas disa sondazheve, fotoja e një burri nudo u pëlqen vetëm katër grave në njëqind. Më mirë është imazhi i një toraksi muskuloz (u pëlqen 60 përqind të grave) apo i një prapanice të bukur (që u pëlqen 12 përqind). Por maksimumi për gruan janë fantazite (43,5 përqind) dhe romanet erotike (25,3 përqind). Gratë janë “frymore racionale” dhe më shumë se muskujt lakuriq, shikojnë nga sjellja dhe qendrimi. Që i eksiton nëse është pasional dhe romantik.
6-Përse gratë eksitohen me më vështirësi se burrat?
Mjeku kinez Tamba Yasoyti, në shekullin X para Krishtit, këshillonte të ekplorohej trupi i partnerit (me duar dhe me gojë) 63 herë. Tepër? E pra do të bënte të lumtura ato 30 përqind të grave që, sipas një sondazhi, nuk arrijnë asnjëherë orgazmën (kundrejt 2 përqind të burrave). Gratë, që janë më në kontakt se burrat me emocionet, për t’u eksituar duhet të jepen me besim. Për këtë arsye dëshirojnë më shumë kohë për puthje dhe përkëdhelje (të ashtuquajturat paraprake).Ndërsa burri seksualisht është më pak i ndërlikuar dhe përgjigjet e trupit të tij mund të jenë mekanike.

Burimi: Tirana Observer


 
 
Picture
Pesë mijë hapa. Kjo është distanca, e barabartë me 3 kilometra, që secili prej nesh duhet të përshkojë çdo ditë për të qenë në formë. Këtë e thekson edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka rreshtuar dëmet e të ndenjurit pasiv në kontinentin e vjetër (Europë). Ecja nuk i bën mirë vetëm shëndetit, por edhe portofolit. Duke e lënë makinën në garazh mund të kursehen rreth 700 euro në vit. Nga këto, 400 lidhen drejtpërdrejt me koston e karburantit dhe mirëmbajtjen e makinës. Kësaj shifre i shtohen edhe 300 euro që çdo njeri shpenzon për të ndihmuar qytetarët e sëmurë të cilët kërkojnë ndihmë në mes të rrugës.

Rregullat
Rregullat bazë që duhen ndjekur, duke filluar nga dieta, aktiviteti fizik në bazë të moshës, deri te sugjerimet për të kuruar traumat e vogla, janë shkruar në manualin “Një shëtitje e shëndetshme”. Libri flet për shëndetin dhe mjekësinë e të shëndetshmëve: modelin e zhvillimit dhe strategjitë e komunikimit. Jeta sedentare shkakton 600 000 vdekje në vit vetëm në Europë dhe përfaqëson një nga dhjetë shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë. Diabeti, kardiopatitë, hipertensioni, kanceri, osteoporoza janë sëmundjet kronike që prekin më masë pothuajse të gjithë njerëzit. Këto sëmundje lidhen pikërisht me stilin e gabuar të jetesës. Ndoshta ju nuk e dini, por shëndeti fitohet dhe ruhet veçanërisht në tavolinë, që në fëmijëri.

Regjimi ushqimor
Sot modeli tradicional ushqimor mesdhetar konsiderohet ndër më efikasët në botë për parandalimin e obezitetit. Po ashtu, është një nga më të larmishmit dhe të balancuarit. Qytetarët duhet të marrin mesazhe të sakta në lidhje me ushqimet, nuk është e nevojshme që të heqin dorë në mënyrë drastike, por të përdorin këshilla praktike që na hyjnë në punë në jetën e përditshme. Njerëzit duhet të njihen me terapitë e reja, studimet e bëra në këtë fushë dhe cilësinë e jetës. Duhet të bëjnë më shumë sport dhe të hanë më pak: duket e vështirë, por nuk është aspak. Aktiviteti fizik ndihmon që t’ju pritet oreksi dhe të silleni në mënyrë më të ekuilibruar në tavolinë. Kjo gjë është vërtetuar edhe nga një studim shkencor: marrja me një lloj sporti ndryshon psikologjikisht prioritetet tona, duke na nxitur që ta shohim ushqimin si diçka dytësore, që mund të shoqërohet me kënaqësinë. Kështu, dieta e shoqëruar me ushtrime fizike do të na ndihmonin të digjnim më shpejt kaloritë, sepse ndikon në zgjedhjet tona ushqimore. Një fakt tjetër i rëndësishme është se sporti rrit kontrollin frenues, ose më saktë funksionin ekzekutiv të trurit që na ndihmon t’i rezistojmë vendimeve impulsive dhe të dëmshme, shpeshherë përgjegjëse për një çrregullim ushqimor. Për këtë arsye, subjektet obezë duhet medoemos t’i nënshtrohen sportit dhe dietës, për të ndryshuar që në rrënjë një sjellje tepër të dobët kundrejt tundimit, gjë që sjell vetëm kile të tepërta. Ideale do të ishte që njerëzit të edukoheshin me mendimin e aktivitetit fizik, sepse shëndeti mendor është shumë më i rëndësishëm se ai fizik dhe kjo duhet t’i bëhet kulturë çdo njeriu që në vogëli. Pra, sporti është mjeti i domosdoshëm për të na nxitur që të mbajmë një dietë të shëndetshme ose të ndjekim një regjim ushqimor të ekuilibruar. Duke u ndierë të tonifikuar dhe energjikë, mund t’i rezistojmë më lehtë tundimit për të ngrënë ushqime kalorike dhe të dëmshme për organizmin, siç janë patatinat dhe ëmbëlsirat, edhe pse mund të kemi një formë fizike të shkëlqyer. Të gjithë e keni provuar që pas një ore palestër, ndjesia që kemi në stomak është një e vetme: uri! Kështu, për të mos çuar dëm një orë fizkulturë, mund ta kënaqni në mënyra të ndryshme stomakun tuaj: ushqimi më i shëndetshëm është një frut, mollë ose banane, ose pak fruta të thata në pritje të vaktit kryesor, siç është dreka.

Burimi: Gazeta Shqip


 
 
Picture
Është reduktuar numri i vdekjeve nga infarktet në Angli, por edhe në shumë vende të tjera të Europës në 10 vitet e fundit. Ky është përfundimi i një studimi të bërë nga Oxford University, i publikuar në ‘British Medical Journal’. Një tjetër risi pozitive: krijimi i një laboratori italian i qelizave staminale të zemrës, jo embrionale, por me të njëjtën potencë. Me pak fjalë, “rruga” për të rindërtuar zemrën e dëmtuar. Por ulja e vdekshmërisë, ende nuk do të thotë ulje e të prekurve. Në Europën Perëndimore shifrat tregojnë 300 infarkte në vit për çdo 100 mijë banorë. Më pak në Itali, por më shumë në Angli. Përkundrazi, më shumë se 400 në vendet e Lindjes dhe në SHBA (efekti-dieta të gabuara dhe duhan). Me rritjen e moshës rritet edhe rreziku. Po ashtu seksi mashkull preket më shumë: deri në moshën 60-vjeçare meshkujt goditen nga dy deri në katër herë më shumë se gratë. Vetëm pas kësaj moshe (përgjegjëse për këtë është menopauza), raporti femra-meshkuj është thuajse i barabartë. Me pak fjalë, një stil jetese korrekt për të reduktuar vdekshmërinë. Po ashtu, edhe një organizim i shpejtë për ta çuar të sëmurin me shumë shpejtësi në spital. Në përgjithësi, sot nuk mbijetojnë 25 për qind e të prekurve. Dhe pjesa më e madhe e vdekjeve ndodhin para mbërritjes në urgjencë.

Studimi
Kërkimi anglez ka analizuar më shumë se 80 mijë burra dhe gra që kanë pësuar një infarkt nga vitit 2002 deri në 2010 dhe ka verifikuar se si vdekshmëria është ulur me 50% për pjesën e popullsisë nga 65 deri në 74 vjeç, njëra nga më të rrezikuarat.

Nëse në vitin 2000 vdisnin 2 të “goditur” nga infarktit në katër të tillë, sot vdes një në katër. Motivet? “Përmirësimet në shërbimin kombëtar të shëndetit, shërbimi shëndetësor kombëtar britanik, zbulimi i ilaçeve kuruese dhe parandaluese dhe ndryshimet e domosdoshme në stilin e jetës, si reduktimi i yndyrave shtazore dhe rritja e konsumit të peshkut dhe e perimeve, por mbi të gjitha, reduktimi i duhanit dhe cigares, shkruhet në analizën e Oxford University. Kërkimi ka treguar edhe se në grupmoshat e reja nuk ka pasur të njëjtën rënie. Shkaku? Rritja e obezitetit dhe diabetit tek personat mes 35 dhe 45 vjeç. Ky është alarmi i vërtetë i kohëve tona.

Pas infarktit
Ekziston një problem. Pas infarktit, çfarë jete duhet bërë? Shpesh, në 30 të “mbijetuar” nga 100, zemra e plagosur bëhet e pamjaftueshme. Numri i këtyre pacientëve po rritet gjithmonë e më shumë. Ilaçet e reja në treg po përpiqen të evitojnë përkeqësimet. Në rastet më të rënda, ndihmat janë zemrat artificiale. Terapitë gjeneruese e bëjnë zemrën të funksionojë si përpara infarktit. Gjithsesi, deri më tani eksperimentet me qeliza staminale nuk kanë bindur.
Udhëzimet

Modifikimi i linjave të guidës bazohet në studimet më të fundit shkencore. Shumë prej tyre në pesë vitet e fundit kanë treguar se masazhi kardiak i jashtëm, i ndjekur nga veprimet e shpejta të ndihmës, rrit përqindjen për të mbijetuar një pacient me dy ose tri herë. Adoptimi i kësaj procedure do të bënte që vetëm në Europë të shpëtoheshin 100 mijë persona, nga 500 mijë njerëz që çdo vit humbin jetën si pasojë e një infarkti. Ndërkaq, në Europë personeli shëndetësor këshillohet të përdorë në masë defibrilatorët e jashtëm automatikë (DAE), që mund të gjenden në shumë vende publike. “Këto mjete janë shumë të lehta për t’u përdorur. Ndërkaq, komanda të thjeshta zanore të ndihmojnë ta përdorësh në të gjitha fazat e procesit, duke garantuar siguri të plotë. Defibrilacioni i hershëm, bashkë me masazhin kardiak, janë një faktor kryesor për të rritur mundësinë për mbijetesë pas një infarkti”, - thonë mjekët. Gjithashtu, është konfirmuar edhe rëndësia e hipotermisë terapeutike në trajtimin intensiv të pacientëve që kanë mbijetuar nga ndonjë infarkt. Bëhet fjalë për ta “ftohur” pacientin, duke e çuar atë në një temperaturë nga 32-34 gradë celsius për 12-24 orë dhe duke e mbajtur me mjete të thjeshta për t’u përdorur, siç janë edhe qeset me akull. Hipotermia terapeutike pas një infarkti rrit, mbi të gjitha, mundësinë që pacienti të rikuperohet pa asnjë lloj dëmtimi neurologjik.

Burimi: Gazeta Shqip


 

    Shëndeti

    Në këtë portal ju do te gjeni informacione rreth Shëndeti