Picture
Për të shpjeguar ëndrrat duhet të kemi shumë parametra: individin në gjendjen përpara ëndërrimit, imazhet e ditës, bisedat me shokët, apo dëshirat e parealizuara apo të shtypura prej individit që rikthehen përmes ëndrrës.
Madje duhen shqyrtuar edhe faktorë të tillë si koha. Nëse nata është e vranët, me shi, e kthjellët, me hënë të plotë apo me hënë të kuqe etj. Pastaj dita: Cila ditë e javës, e diel (ëndrra tregon vetëm për të atë ditë deri mesnatë), e hënë, e martë etj.
Koha para mesnate pas mesnate apo mëngjes. Data prej 1 (një) deri 31 muajit përkatësisht 30. Gjithashtu shqyrtohet se si ndihet kur i del gjumi atij që ëndërron, nëse e ka ndjerë vetën të gëzuar, të mërzitur a të shqetësuar.
Së fundi janë simbolet që qëndrojnë në rrafshin e pavetëdijes. Një shembull: Tre veta udhëtojnë me një makinë, u kalon macja e zezë, njëri prej të treve fillon të qajë dhe e pyesin “pse?”, ai u përgjigjet “e ka ters macen e zezë”.
Dhe vërtet mund t i ndodhë diçka e keqe atij personi. Personi i dytë fillon të këndojë sepse macja e zezë ishte shenjë e mbarë për të. Dhe vërtet, tërë dita i kalon mirë dhe është i gëzuar, kurse i treti nuk reagon. Sepse macja e zezë nuk e ndonjë domethënie për të.
Kështu edhe në botën e ëndrrave: Varet se me çfarë simbolesh e kemi ngarkuar pavetëdijen, për shembull, qeni për dikën është besnik, për tjetrin armik etj.
Ëndrrat që i shkakton ngacmimi i jashtëm
Sa është njeriu i vjetër, aq janë të vjetra ëndrrat. Ato e kanë shqetësuar pareshtur, prandaj ai u ka dhënë domethënien e vet. Ndonjëherë është përpjekur t i shpjegojë ato edhe si zë të Zotit.
Shumë ëndrra kanë shkak të jashtëm, siç janë ngacmimet e ndjenjave.
Kështu, në qoftë se jashtë bubullon, atëherë njeriu zakonisht do të ëndërrojë se është në frontin e luftës; zëri i gjelit, herët në mëngjes, atij i rikthehet në ëndërr si një kushtrim i frikshëm; në qoftë se dyert e shtëpisë kërcasin, do të ëndërrojë hajdutin që ka hyrë në shtëpi; në qoftë se mbuloja e shtratit bie për tokë, mund të ëndërrojë se fluturon i zhveshur ose ka ra në ujë dhe noton; në qoftë se është i shtrirë dhe këmbët i ka të varura në skaj shtratit, mund të ëndërrojë se bie në greminë; në qoftë se e mbulon kokën me nënkresë, mund të ëndërrojë se bien gurë mbi të.
Ata që “lagen” gjatë natës në shtrat, do të ëndërrojnë se notojnë.
Dikush ëndërron se e ka sulmuar armiku dhe e rrëzon në “kokërr të shpinës” dhe e lidh në një hu, dhe kur nga frika i del gjumi, sheh se mes gishtërinjve të këmbës, ka një fije kashte. Psikologu i njohur Henningsi ëndërron se e kanë varur në litar, nga frika i del gjumi, dhe vëren se rreth qafës i është lidhur këmisha e natës.
A. Maury, i cili ka eksperimentuar shumë rreth ngacmimit dhe objektit ngacmues si, bie fjala, me puplën e pulës, ngacmim nën hundë dhe në buzë, dhe ka vërejtur lidhjen midis ndijimeve të jashtme dhe ëndërrimit. Dikush pa ëndërr sikur ishte në shkollë dhe në fund të orës, e pyet profesori, a e ka kuptuar lëndën, ndërsa dikush fillon të bërtasë “o – ja!” Mësuesi e qorton pse bërtet dhe pas tij të gjithë bërtasin, orja, erja, feurja etj.
Pastaj, ai zgjohet dhe, në të vërtetë, njerëzit bërtasin jashtë: “feuer” domethënë, “zjarr”, po digjet shtëpia. Shtëpia e tij ishte në zjarr. Po ashtu gjatë luftës, një vajzë ëndërronte sikur fluturonin aeroplanët mbi të, dhe në të vërtetë qenë aeroplanët e luftës, që bombardonin qytetin…
Ëndrrat me shkaqe patologjike
Shpeshherë shkaku i ëndrrave është në patologjinë e brendshme trupore, siç është shushuritja e veshëve, zemra e dobët, mëlçia e sëmurë, tretja e dobët, po ashtu edhe ngarkesat e llojllojshme të gjëndrave seksuale.
Njeriu i sëmurë nga zemra zakonisht do të shohë ëndrra frike, tmerri, trishtimi, që lidhen ngushtë me vdekjen; bie fjala, lufton me kafshët e egra, e sulmon gjarpri etj.
Kur zgjohet, është i djersitur dhe i shqetësuar. Njeriu i sëmurë nga mëlçia zakonisht do të ëndërrojë sikur ka pengesa me frymëmarrjen, sikur i zihet fryma nga turma e madhe, ikën dhe nuk mund të vrapojë as të fshihet. Njeriu me dhimbje stomaku dhe tretje jo të mirë zakonisht do të ëndërrojë gjëra të pështira.
Njeriu me nerva të luhatshme dhe frikacaku zakonisht do të ëndërrojë se përplaset dhe rrëzohet; lufton me kafshët e egra, siç janë gjarpërinjtë, ujqit, etj. Ata që ëndërrojnë hajdutin, sipas Freudit, u ringjallen kujtimet e fëmijërisë, kur të huajt vizitonin dhomën e fëmijës dhe e zgjonin nga gjumi.
Ëndrrat që e kanë shkakun në të kaluarën
Ëndrrat i kanë shkaqet psikike nga e kaluara. Në qoftë se një ditë përpara ose para disa ditëve, ke pasur mysafirë, ka mundësi të ëndërrosh vizitën e mysafirëve, ose vetë shkon diku në vizitë, do t’i shohësh të njëjtit njerëz, por në një shoqëri tjetër.
Njeriu, i cili ka qenë në udhëtim dhe kthehet në shtëpi, mund të ëndërrojë disa ditë vendet nëpër të cilat ka kaluar, ndoshta ëndërron se si vozitet dhe ballafaqohet me vështirësi dhe pengesa, siç është harresa e biletës etj. Ngjarjet që lënë përshtypje (mbresë) të thellë, do të shkaktojnë ëndrra, por në lidhje me diçka tjetër.
Në ëndërr nuk e kemi nën kontroll veten dhe as nuk mund ta përcaktojmë qëllimin nga jeta konkrete. Rikthimi në fëmijëri ose në moshë të re, po ashtu shkakton ëndrra të shpeshta te njeriu i moshuar.
Bie fjala, ëndërron se është fëmijë dhe është nën këshillat e babës dhe të nënës, që mund të jenë dhe të vdekur. Po ashtu, të shpeshta janë ëndrrat e jetës së shkollës (prefesori do të pyesë, por del se nuk jemi të përgatitur dhe nga kjo frikë në fund zgjohemi).

Ëndrra si shkak i dëshirës
Ëndrrat e njeriut janë dëshirat, që ende nuk janë realizuar ose nuk do të realizohen kurrë. Vajza, që e ka humbur shpresën e martesës, do të ëndërrojë se si shkon në dasmën e vet në mënyrë solemne; ia urojnë martesën miqtë dhe shokët drejtpërsëdrejti ose me telegrame dhe letra; kjo është vetëm një dëshirë që dëshiron ta plotësojë.
Në qoftë se studenti ëndërron se e ka dhënë provimin me notën shembullore, në të vërtetë ai ende nuk ka filluar të përgatitet për provim; pra ai nuk e di a do ta japë provimin; kjo mbetet dëshirë për t’u realizuar. Shumë herë, njeriu ëndërron grumbullin e parave dhe fillon të hartojë plane se si t’i shfrytëzojë ato, po dhe kjo në qenësi shpreh dëshirën e tij.

Ëndrrat me domethënie simbolike
Njeriu shikon edhe ëndrra simbolike, që në momentin e parë nuk i di as domethënien. Zakonisht, për këto ëndrra nuk gjendet një shkak i jashtëm i ëndrrës. Nga lashtësia historike, njeriu i ka shpjeguar ëndrrat sipas simbolikës (posaçërisht dallohet populli i Izraelit).
Kështu, bie fjala, Jozefi i Egjiptit ia shpjegoi Faraonit ëndrrën me shëmbëllesa. Në kohën tonë, për këtë dukuri janë të njohur Freudi, Adleri, Jungu dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Por, asnjë shkollë psikanalitike nuk i shtjellon ëndrrat në të njëjtën mënyrë dhe ato dallohen dukshëm mes tyre. S. Freudi (Frojdi), zakonisht u mor me shpjegimin e dëshirave të parealizuara në lëmin seksual. Tërë simbolika e ëndrrës është e veshur me epshin dhe kënaqësinë seksuale.
Njeriu gjatë gjumit s’ka mbikëqyrje në censurimin e vetëdijes dhe kështu bota e ëndrrave shpërthen nga dëshirat e parealizuara dhe censura është e veshur me shëmbëllesën e epshit seksual.
Prej këtej, ombrella, thika etj. shprehin fallusin, organin seksual të mashkullit, ndërsa krehri, organin seksual të femrës. Shumë larg do të shkonim, në qoftë se i shpjegojmë të gjitha ëndrrat në këndvështrimin seksual, edhe pse disa e kanë këtë simbolikë.
Nuk është e vërtetë se të gjitha simbolet në ëndërr paraqesin vetëm jetën seksuale, po ashtu nuk është e vërtetë, siç e thekson Frojdi, se nënvetëdija e njeriut është e prishur, e çoroditur dhe vetëm vetëdija është e mirë. C. G. Jungu thekson: “A nuk është dëshmi e mirë se çfarë i solli njeriut vetëdija e tij, siç janë dy luftërat botërore?
Ndërsa nënvetëdija e njeriut, përderisa nuk është e përcaktuar, nuk është as e keqe as e mirë.” C. G. Jungu thotë se bota e ëndrrave buron nga nënvetëdija e njeriut, që e plotëson vetëdijen; njëra e plotëson tjetrën, prandaj nuk është e mjaftueshme të dish nga vinë ëndrrat dhe shkaqet e tyre, por është i rëndësishëm qëllimi -Pse ëndërrojmë.
Ja ëndrra e një mjeku, treguar Jungut: “U ngjita në bjeshkë, rruga ishte përpjetë nëpër borë; koha ishte e mrekullueshme. Sa më lart ngjitesha, aq më tepër kisha kënaqësi, edhe ndieja një bukuri dhe lumturi të qëndroja përherë aty. Ashtu isha i magjepsur, por, sa arrita në kulmin e bjeshkës, fillova të ngrihem në ajër dhe të fluturoja. Dhe kur u zgjova, isha krejtësisht në një farë ekstaze”. Jungu i përgjigjet: “Mik i dashur, e di se nuk mund të rrish larg malit, por tani të qortoj, mos shko më vetëm në bjeshkë.
Në qoftë se shkon së paku merr dy veta që të të shoqërojnë!” Ai në këtë qortim qeshi. Pas dy muajve doli në mal dhe rrëshqiti e mbeti në mbulojën e borës, dhe një kalimtar i rastit i shpëtoi jetën. Tre muaj më vonë, sërish u ngjit në bjeshkë, por, porsa hipi në thepin e bjeshkës, u rrëzua dhe ra në greminë. Kjo ishte ekstaza e ëndrrës. Kështu e shpjegon Jungu. Mirëpo, shtrohet pyetja: Në cilin drejtim vetëdija e njeriut, plotësohet me nënvetëdijen e botës së ëndrrave?

Zbulimi i brendshëm
Është e vërtetë se bota e ëndrrës e zbulon botën e brendshme të njeriut, që ai nuk do ta pranojë në mënyrë të vetëdijshme. Për njeriun që ëndërron se vonohet, zakonisht për trenin ose i ikën treni, thonë se ai gjithmonë do ta humbasë rastin ose do të vonohet; vajza 40 vjeçe, që e kishte humbur shpresën e martesës, ëndërron sikur do të udhëtojë me trenin, që i kalon përpara syve.
Plotësimi i vetëdijes me nënvetëdijen
I internuari që mësoi gabim nga ëndrra, ditën e tij të lirisë
Si plotësohet vetëdija e njeriut me nënvetëdijen që shprehet në botën e ëndrrave? Në vend të sqarimit, po japim një shembull të prof. Viktor Frankel-it nga kampi i përqendrimit të Dachau (Dahau).
Një nga të burgosurit kishte pa një ëndërr të çuditshme; një zë i çuditshëm i thotë: A dëshiron ta dish të ardhmen tënde! Ai i përgjigjet, po: “Dëshiroj të di, kur do të jetë për mua fundi i luftës?” Zëri i ëndrrës i përgjigjet: “Më 30 mars 1945!” Këtë ëndërr e kishte parë në fillim të muajit mars.
Ishte krejtësisht i shëndoshë dhe fizikisht i fortë me plot shpresë për t’u çliruar. Ditët kalojnë shpejt dhe nuk shihet në horizont ndonjë shenjë, që t’i realizohet zëri i ëndrrës. Ditët e fundit e kaplojnë ethe të rënda dhe më 29 mars e dërgojnë në spital; më 30 mars vdes; ky është fundi i luftës dhe i vuajtjeve të tij. Ëndrrat nuk janë profetizim, që mund të tregojnë të ardhmen e njeriut, por mund të jenë shkaku i atyre gjërave që paralajmërohen. Jeta e përditshme na jep mjaft shembuj të tillë, por ne nuk jemi gjithnjë të vetëdijshëm për këtë, sepse përmbajtja e ëndrrave, që shpërthen nga nënvetëdija e njeriut do të ndikojë, dashje pa dashje, edhe në vetëdijen, në mendjen e tij, që e shpie deri te realizimi i ëndrrës, edhe pse realizimi i saj në realitet është i ndryshëm. Ëndrrat janë pjesë e jetës dhe diçka normale te njeriu.
Nëpërmjet tyre në mënyrë spontane përjetojmë shtresat e thella psikike. Me një fjalë, përmes ëndrrës, në mënyrë spontane zgjohet vetvetiu tërësia e strukturës psikike “nën ujë” të thellë.
Disa autorë e shpjegojnë procesin e ëndrrave dhe përdorimin e tyre në shtatë shkallë.

Nganjëherë na ndodh se fare nuk na kujtohen ëndrrat. Harresa e tillë bazohet në faktin se i shtypim në sferën e nënvetëdijes të gjitha ato gjëra që na kërcënohen me ndonjë dhimbje ose e rrënojnë Unin (Egon) ose na shpijnë kah pasiguria, qofshin ata të vetëdijshme, qofshin të pavetëdijshme.

1. Shkalla e parë është “ëndrrat e ditës” (ëndërrite), integrimi i kujtesës që personi përjeton gjatë natës. Jo vetëm se i kujtohen ëndrrat, por dhe përmbajtja e tyre psikike, çfarë na i ka “vjedhur” dita. Edhe pse i përjeton si diçka të huaja dhe “jo të nevojshme”, nuk i shtyp në sferën e nënvetëdijes dhe as nuk largohet prej tyre me ndonjë ide fikse ose të ngushtë për ta mbrojtur pamjen e vet dhe të botës reale, por me vetëdije kyçet në integrimin e sferave psikike.

2. Shkalla e dytë është analiza e ëndrrave. Përmes analizës jo vetëm se e ndajmë pjesë-pjesë përmbajtjen e ëndrrave, por edhe rritet vëmendja dhe kujdesi në disa momente të sferës psikike dhe njëhershmit ballafaqimi me pasurinë (thesarin) e fshehur në shtresat e thella. Kuptohet se kjo nuk është integrimi i ëndrrës me shtresat e ditës, por është integrimi i shtresave të ditës me kujtimet që reflektojnë nga ëndrra, kyçja spontane me sferat e thella të individit.

3. Shkalla e tretë është shpjegimi i ëndrrave dhe deshifrimi i fshehur i porosisë, që jepet nëpërmes gjuhës simbolike të ëndrrës. Në këtë fazë i dallojmë shtytjet e ditës nga përmbajtja e ëndrrës dhe në mënyrën aktive inkuadrohemi në botën e ëndrrave, duke analizuar mirë shtytjet e ditës që bëhen burim i përjetimit së botës së ëndrrave. Po ashtu i analizojmë shkaqet e shëmtuar nga ndodhitë e ëndrrës dhe kërkojmë çelësin për t i deshifruar porositë e saj.

4. Shkalla e katër është integrimi me ëndrrat e ditës, “ëndërrite”. Veprimi shkon në drejtimin e kundërt. Vëmendja e zgjon vetëdijen dhe kyçet drejtpërsëdrejti me botën e ëndrrave. Këtë shkallë mund ta arrijmë vetëm me ushtrime intensive, për ta zgjuar vetëdijen gjatë “ëndrrës” (jemi të vetëdijshëm se jemi në botën e ëndrrës). Vëzhgimi i ëndrrës bëhet nga këndi i vëmendjes dhe mendojmë mbi domethënien e ëndrrës. Në këtë fazë hyjmë në hulumtimet e thella dhe në mbretërinë e bukur të ëndrrave – gjithherë me vetëdijen e plotë dhe ashtu jemi të pranishëm në botën e ëndrrës, që quhet “lucide”.

5. Shkallës së pestë i bashkohet jo vetëm vëmendja e vetëdijes, por edhe vullneti me krijimtarinë burimore. Ëndrra vëzhgohet jo më në mënyrë pasive, por individi ndërhyn në mënyrë aktive dhe kreative. Përpara e përgatitin edhe skenarin, bie fjala, lëndën mbi të cilën do të ëndërrojë dhe rolin që do ta luajë, po ashtu dhe gjatësinë e dëshiruar. Ëndrrat e tilla i quajmë ëndrrat të kontrolluara ose ëndrra kreative. Në ëndrrat e tilla kyçet jo vetëm vëmendja, po dhe intelekti i individit me emocionin dhe vullnetin e lirë.

6. Në shkallën e gjashtë fillon integrimi i individit dhe autoterapia nëpërmjet ëndrrës. Integrimi psikik nuk është vetëm lidhja e strukturës dhe njësimi i shtresave psikike, por dhe përpunimi konstruktiv i tyre. Autoterapia psikike nga tjetërsimi, nga shtypja psikike që shpërthejnë nga nënvetëdija, nga ngarkesat e llojllojshme, që shoqërojnë dhembje nga tronditjet shpirtërore. Ri integrimi është i mundshëm vetëm si proces i shërimit ose i autoterapisë. Autoterapia tek ëndrrat e kontrolluara është e mundshme dhe e suksesshme bile edhe më e suksesshme se terapitë e tjera.

7. Shkallën e shtatë mund t ia lejojmë vetes vetëm atëherë kur integrimi ynë është i lartë dhe stabil. Në këtë fazë na paraqitet dera e mrekullueshme që hyjmë në botën e fenomeneve të paranormales. Kështu mund ta zhvillojmë dyshin tonë (binomi – binjakun tonë) dhe të udhëtojmë në kohë dhe në vend; i dërgojmë dhe marrim sugjerimet telepatike nga tjetri, ose së bashku me tjetrin ëndërrojmë të njëjtën ëndërr ose e kërkojmë tjetrin në ëndrrën e tij.
Edhe pse ëndrrat nuk mund ta japin drejtimin tonë të jetës, ato janë faktor i rëndësishëm që ndihmojnë në mënyrë pozitive për baraspeshën e jetës së përditshme të pikëpamjeve më humane në botë.

Burimi: Tirana Observer


 


Comments


Your comment will be posted after it is approved.


Leave a Reply

    Kuriozitete

    Në këtë portal ju do të informoheni rreth Kurioziteteve.