Picture
Hulumtimi i ri ka treguar lidhjen në mes PFOA (PerFluoroOctanoic acid - acidi perfluorooktanik), i cili përdoret në prodhimin e tenxhereve dhe të enëve prej tefloni dhe sëmundjeve të zemrës.

Derisa shkencëtarët janë të kujdesshëm, si gjithmonë, dhe nuk dëshirojnë të thonë që kjo lidhje është njëqind për qind e saktë, disa' megjithatë këshillojnë që ‘për çdo rast’ duhet të shmanget ky kimikat.

Studimi ka treguar që te 98 për qind e amerikanëve janë gjetur gjurmët e acidi perfluoroktanik dhe që ata me nivel më të lartë të këtij kimikati kanë dy herë më shumë shanse për t'u sëmurë nga ndonjë sëmundje e zemrës.

“Ajo çka kemi zbuluar është që në njëfarë mënyre niveli i lartë i PFOA dhe sëmundjet kardiovaskulare janë të ndërlidhura”, thotë Anoop Shankarnga Universiteti në West Wirginia.

Kjo nuk është hera e parë që kimikatet e përmendura lidhen me problemet shëndetësore. Grupi punues ekologjik e ka klasifikuar si me gjasë ‘kancerogjene’, dhe të njëjtën e konsideron edhe Agjencia për mbrojtje e mjedisit të njeriut. 
Përveçqë dihet që avujt toksikë nga enët për të cilat ushqimet nuk ngjiten mund të shkaktojnë që zogu, për shembull, të vdesë nëse gjendet në hapësirën e njëjtë, dihet edhe që PFOA shkakton peshë më të vogël të foshnjave në lindje, si edhe që problemet me gjëndrën tiroide shfaqen më shpesh te personat me nivelin më të lartë të PFOA-së në gjak. 


 
 
Picture
Teknikat e reja dhe mjetet gjithnjë e më të sofistikuara diagnostikuese të mjekësisë mund të ngjallin frikë, gjë që mund të na largojë nga të qenët të shëndetshëm.

Dikur nuk ishte kështu. Për gjyshërit tanë nuk ishte ndonjë dramë e madhe të vizitoheshin te doktori, apo të bënin analiza gjaku. Mjeku ishte një figurë familjare dhe qetësuese, sëmundjet ishin shumë herë më pak të njohura, e po ashtu edhe ekzaminimet që kryheshin. Mjekësia kishte vendin e saj dhe ideja e të qenët i sëmurë ishte pjesë përbërëse e jetës. Sot, rritja e pabesueshme e dijeve, sëmundjeve të njohura, teknikave të sofistikuara diagnostikuese dhe kurave në dispozicion krijojnë në mënyrë paradoksale një efekt më shumë çoroditës sesa qetësues, duke e bërë të papranueshme në shumë raste një sëmundje të caktuar.

Paradokset e zhvillimit mjekësor
Është njësoj sikur i gjithë ky “arsenal” për të identifikuar dhe kuruar sëmundjet, në vend që të rrënjosë paqen dhe sigurinë ndjell të kundërtën, duke nxitur fantazma të fuqishme dhe pasiguri. Aparatura të tilla si skaneri apo rezonanca manjetike, që shohin brenda trupit në një mënyrë që para një apo dy dekadash vetë shkencëtarëve do t’u dukej magjike, ngjallin te njerëzit ankth, sepse tani mund të zbulohet çfarëdolloj “gjëje” shkatërruese brenda trupit të tyre, ashtu siç ndodh edhe me analizat e gjakut, që shpesh përdoren si tregues të fuqishëm të një sëmundjeje të papritur dhe të rëndë, edhe pse mund të mungojnë simptomat.

Sigurisht që nuk është për të gjithë kështu, por janë gjithnjë e më të shumtë ata që, edhe për analiza të thjeshta kontrolli humbasin toruan, duke u sjellë në mënyrë të paarsyeshme teksa presin daljen e përgjigjeve, ose nënvlerësojnë vizitat e ekzaminimet edhe atëherë kur është vërtet e nevojshme.

Simptomat
- Ndiejnë neveri totale për mjekët dhe spitalet
- E mohojnë faktin se kanë nevojë për vizitë edhe atëherë kur simptomat janë të dukshme
- Kanë tension të lartë dhe janë të padurueshëm për marrjen e përgjigjes
- Fantazojnë sikur u ka mbetur dhe pak jetë për të jetuar, ndiejnë ankth dhe panik

Frika
- Mendojnë se mos kanë ndonjë tumor malinj
- Ndonjë sëmundje neurologjike degjenerative (parkinson ose alzhajmer)
- Kanë frikë se mos zbulojnë ndonjë prirje për infarkt

Rreziqet
- Këshillat janë për të gjithë personat pa përjashtim, por në veçanti për ata që nënvlerësojnë vizitat dhe analizat. Asnjëherë nuk duhet t’i neglizhoni simptomat serioze dhe ato më pak serioze, sepse sëmundja avancon dhe atëherë është më e vështirë për t’u kuruar.

- Personat që kanë pësuar një herë, mund ta neglizhojnë sërish, sepse nuk dëshirojnë t’i rikthehen sërish asaj periudhe të vështirë, megjithatë nuk mund ta lënë veten pas dore. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më keq është. Nuk duhet humbur asnjëherë besimi se mund të kuroheni.

Ekzaminimet e frikshme
- Skaneri dhe rezonanca manjetike (e kokës dhe trupit)
- Analizat e gjakut, si të përgjithshmet ashtu edhe ato specifike
- Ekografia
- Mamografia dhe “Pap Testi”
- Endoskopia (sidomos gastrite dhe e zorrës së trashë)

Këshilla: doktori duhet të jetë miqësor
Përveç doktorit, një rol të veçantë luani edhe ju vetë, sepse fobitë që keni tregojnë se nuk e njihni thellë veten; që jeta juaj mendore është shkëputur nga ajo trupore; që bëni pak dashuri dhe jo ashtu si do doje. Nëse e bindni veten dhe i korrigjoni, kjo do t’ju ndihmojë që të ndryshoni.

Zgjidheni mirë doktorin
Në vend që të sorollateni sa andej-këndej, lidhuni me një doktor të cilit i besoni, që ju njeh dhe di ta shërojë frikën tuaj. Kështu, falë shpjegimeve të qarta dhe sigurisë në vetvete, nuk do të bëni gabime të tilla në të ardhmen.

Mos “përdorni” familjarët
Përpiquni të krijoni me këtë doktor një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, pa përfshirë familjarët, duke nxjerrë justifikime se do të vizitoheni e ju duhet një shoqërues, sidomos kur janë të shqetësuar. Nëse keni ndonjë shqetësim, së pari ia thoni doktorit tuaj.

Mos e shtyni për më vonë
Nëse mjeku i zgjedhur dëshiron t’ju vizitojë ose t’ju përshkruajë analizat, takojeni menjëherë, jo sepse mund të ketë ndonjë urgjencë, por për të reduktuar kohën e një pritjeje që edhe nëse e shtyni për më vonë, do të duhet të përballeni me të.


 
 
Picture
Ndonjëherë ndodh që edhe pse nuk jeni prekur nga ndonjë sëmundje konkrete, të vuani nga çrregullime të përsëritura dhe të vazhdueshme që janë të pashpjegueshme: ënjtje, dhimbje koke, marramendje, lodhje kronike, pezmatim i lëkurës ose ndryshime të papritura në peshë, por edhe pagjumësi, apo ndonjë formë e lehtë depresioni. Shkak i gjithë këtyre simptomave mund të jetë një intolerancë ushqimore, fenomen që vitet e fundit është përhapur në mënyrë të pashpjegueshme. Disa studime shkencore europiane japin këto rezultate të intolerancës: te fëmijët 13% dhe te të rriturit 10%.

Janë zorrët që “rebelohen” me ushqimet e “gabuara”
Njerëzit që vuajnë nga intolerencat mund të kenë përvoja të tilla me vite dhe provojnë shumë kura pa e kuptuar se gjithçka mund të varet nga një ushqim që nuk ua pranon organizmi. Intoleranca mund të jetë simptomë e një reagimi të organizmit ndaj ushqimeve të zakonshme, të padyshimta, por që janë një stimul toksik mund të shkaktojë shumë probleme. Kur këto ushqime konsumohen për një kohë të gjatë dhe në sasi të mëdha, krijojnë një mbledhje të substancave të padëshiruara që sjellin shumë çrregullime. Organi që merr pjesë në këtë proces janë zorrët, që duke i klasifikuar disa ushqime si “toksike”, përfshin sistemin imunitar dhe shkakton reaksione inflamatore.

Ndarja e alergjive dhe intolerancave
Alergjitë janë përgjigjja e gjakut ndaj substancave të huaja. Gjithashtu, alergjitë janë reagimet e papritura dhe akute të organizmit (sidomos të gjakut) ndaj substancave të caktuara irrituese (të quajtur “alergjenë”) të pranishme te poleni, parfumet, pluhuri, vaksinat, por edhe te disa ushqime të tilla si: qumështi, veza, midhjet, frutat e pyllit, domatja, banania dhe kivi. Alergjia shkaktohet nga prania në gjak e antitrupave të veçanta, IgE. Nëse këto antitrupa hyjnë në kontakt me alergjenët, mund të shkaktojnë manifestime fizike të dhunshme dhe të menjëhershme.

Simptomat: shfaqen në mënyrë të dhunshme, në lëkurë ose në aparatin e frymëmarrjes.

Diagnoza: duhen bërë analizat e gjakut dhe testet e alergjisë në lëkurë, si “Testi i njollave”, “Testi i shpimit të lëkurës”.
Intolerancat janë reagimet e zorrëve ndaj ushqimeve të caktuara

Intolerancat ushqimore janë një reagim i ngadalshëm, i fshehtë dhe i vazhdueshëm i zorrëve që nuk tolerojnë gëlltitjen masive të disa ushqimeve, të tilla si mielli, produktet e qumështit, vezët, etj. Ndryshe nga alergjitë, intolerancat shfaqen gradualisht dhe jo në mënyrë të dhunshme. Ato janë gjithmonë të shoqëruara me sasinë e ushqimit që konsumohet.

Simptomat: nuk shfaqen menjëherë pas ngrënies së ushqimit, por mund të ndodhin me kalimin e kohës. Në pjesën më të madhe të rasteve janë probleme gastrointestinale, dermatologjike ose në frymëmarrje.

Diagnoza: mund të zbulohet me analizat të veçanta, si “Dria Test” (përcaktimin e intolerancës ushqimore) dhe “Vega Test” (metodë e diagnostikimit të sëmundjeve alergjike dhe të tjera). Një rol të rëndësishëm luan edhe dieta e eliminimit: tregon nëse simptomat janë ulur duke hequr ushqimet e dyshimta.

Ushqimet e zakonshme që mund të shkaktojnë intolerancë(alergji)
Intolerancat lindin nga konsumi i tepërt i ushqimeve që na pëlqejnë aq shumë sa nuk mund të bëjmë pa to, dhe për të cilat është zhvilluar një varësi e vërtetë psikofizike. Prandaj në të tilla raste, si zgjidhje e parë duhet shmangur medoemos ngrënia e ushqimeve të njëjta çdo ditë dhe të bëni kujdes me ato që ju pëlqejnë shumë. Gjithashtu, mos harroni që çdo ushqim, i konsumuar shpesh dhe në doza të mëdha, mund të jetë i patolerueshëm, sidomos pas një periudhe stresi apo sëmundjeje, situata që lodhin si zorrët ashtu edhe sistemin imunitar.

Ushqimet që nuk duhet të konsumohen
Këtu përfshihen të gjithë ushqimet e përgatitura me vezë, siç janë majoneza, petët e makaronave, raviolit, produktet gjysmë të gatshme, tortat, akulloret, budingët, kremrat industrialë.
Frutat e thata dhe soja - Shkaqet

Edhe arrat, lajthitë, kikirikët, soja mund të lëshojnë në zorrë substanca që me kalimin e kohës irritojnë mukozën që ndihmon në tretjen e ushqimit dhe shkaktojnë fenomene të keqpërthithjes, e sekretimin e një substance irrituese, histaminën.

Simptomat
Tretje e keqe, fermentim intestinal, dermatit.



 
 
Picture
Sulmi në zemër është shumë më i rrezikshëm për 20 për qind të njerëzve në orët e mëngjesit se sa në çdo orë tjetër të ditës. Ky fakt publikohet në studimin më të fundit të Qendrës Nacionale për Hulumtime Kardiovaskulare në Madrid.

Tensioni i gjakut është më i lartë në mëngjes, ndërsa më i ulët natën. Hormonet si kortizoli, i cili rrit nivelin e sheqerit në gjak, po kështu koncentrimin më të madh e ka në orët e hershme të mëngjesit.

Ata që kanë përjetuar infarkte ndërmjet orës 6 të mëngjesit dhe të paradites, kanë pasur dëmtime për pesë herë më të mëdha sesa ata që e kanë përjetuar më vonë, gjatë ditës.

Profesionistët besojnë se kjo është pasojë e ndryshimit të tensionit të gjakut, të nivelit të hormoneve dhe të metabolizmit, që shfaqen në momentin e zgjimit nga gjumi.


 
 
Picture
Pasta për dhëmbë zbardh, shndrit, freskon, largon njollat, ripërtërin dhe mbron smaltin. Por, pasta bën çudira për shumë gjëra dhe jo vetëm për dhëmbë. Përbërësit e njëjtë që i ndihmojnë dhëmbët tanë mund të ndihmojnë edhe tek gjërat tjera. Provoni këto 15 truqe, kurseni kohën dhe paratë dhe binduni që pasta për dhëmbë është çudibërëse.

Lirohuni nga irritimet e pickimit të insekteve, herpesi dhe kallot

Këto irritime të lëkurës janë më të shpeshtat dhe më të dhimbshmet dhe kruhen. Vendosni pak pastë për dhëmbë në vendin e pickimit të insekteve, ajo do të eliminojë të kruarën dhe të reduktojë ënjtjen. Pasta than herpesin dhe kallot, çka mundëson shërim të shpejtë. Në këtë rast më së miri është që pastën ta përdorni gjatë natës.

Lehtësoni djegiet

Për djegiet më të vogla të cilat nuk përfshijnë plagë të hapura, pasta për dhëmbë mund të ofrojë lehtësim afatshkurtër. Ajo krijon ndjenjën e ftohjes së djegies. Aplikojeni butë, menjëherë pasi që të digjeni. Pasta do ta reduktojë ndjenjën e zjarrmisë dhe parandalojë hapjen e plagës.

Puçrrat të largohen sa më parë

A keni probleme me puçrra? Vëni pak pastë në to para se të shkoni të flini. Lëreni të veprojë gjatë tërë natës dhe në mëngjes shpërlajeni.

Largoni aromat e pakëndshme në duar

Hudhra, peshku, qepa dhe ushqimet tjera mund të depërtojnë në qelizat e lëkurës dhe ta mbajnë aromën për një kohë të gjatë, ndonjëherë edhe me ditë. Larja e duarve me pastë do të largojë të gjithë aromat e pakëndshme.

Largoni njollat

Pasta për dhëmbë mund të largojë njollat e vështira nga veshjet dhe qilimat. Për rroba, aplikoni pastën drejt në njolla dhe fërkoni fortë derisa të hiqet njolla, pastaj lajini si zakonisht. Megjithatë, kini parasysh që pasta për dhëmbë po ashtu mund të zbardhë edhe materialin, prandaj kini kujdes. Për njollat në qilim, vëreni pastën në njolla, pastroni me brushë dhe shpërlani menjëherë.

Pastroni këpucët e ndotura

Pasta për dhëmbë është e shkëlqyeshme për këpucë. Si edhe tek njollat në qilim, aplikoni pastën drejt në pjesën e ndotur, dhe pastaj fërkoni me furçë dhe pastroni me peshqir.

Largoni gjurmët e shkumësit nga muret

Fëmijët shpesh dinë të vizatojnë me shkumës nëpër mure. Ju ato gjurmë do t’i hiqni lehtë ashtu që në peshqir aplikoni pastën për dhëmbë dhe me të fshini murin.

Le të shkëlqejë përsëri argjendi juaj

Kthejani shkëlqimin stolive tuaja prej argjendi apo dekorimeve tjera nga argjendi. Shtrydheni pastën për dhëmbë në stoli dhe lëreni të veprojë gjatë natës. Në mëngjes fshijeni me një peshqir të butë. Kthejuani shkëlqimin duke iu ofruar një piling të butë me ndihmën e brushës për dhëmbë, pastës dhe ujit. Shpërlani thellësisht për të larguar të gjitha gjurmët e pastës.

Largoni gërvishtjet në CD

Pasta për dhëmbë ka efekt të shkëlqyeshëm në gërvishtjet e cekëta. Aplikoni një shtresë të hollë të pastës në CD dhe fshijeni lehtë. Pastaj pastroni me peshqir të pastër.

Pastroni tastet në piano

Tastet në piano kanë vaj nga lëkura e gishtave, çka tërheq pisllëkun dhe pluhurin. Pastrojini me peshqir të butë dhe të lagësht dhe me pastë për dhëmbë, dhe pastaj pastën largojeni nga tastet me peshqir të pastër.

Freskoni shishet e fëmijëve

Nëse shishja ka marrë erën e qumështit, përdoreni pastën dhe brushën për shishet. Shishen fërkojeni mirë dhe kjo do të largojë të gjitha aromat e pakëndshme. Shishen shpërlajeni mirë para se ta përdorni.

Largoni njollat e errëta nga hekuri

Te hekuri me ngjyra pas një kohë shfaqen njollat e errëta. Ato do t’i largoni lehtë me pastën për dhëmbë.

Burimi: Gazeta Standard


 
 
Picture
Të kujtosh të kaluarën me pendesë dhe trishtim jo vetëm që ju pengon të shijoni të tashmen, por nuk është mirë edhe për shëndetin.

Një studim i kryer nga shkencëtarët spanjollë tregon se njerëzit që e shikojnë me këqardhje të kaluarën e tyre janë të prirur të kenë një cilësi jete më të ulët se të tjerët. Gjithashtu sipas studimit të Universitetit të Granadës këta persona janë më të ndjeshëm ndaj dhimbjes fizike.

Kërkimi del në përfundim se njerëzit më të lumtur dhe më të shëndetshëm janë ata që jetojnë të tashmen, që mësojnë nga gabimet e të kaluarës dhe planifikojnë të ardhmen.

50 meshkuj dhe femra u pyetën mbi të kaluarën e tyre dhe shëndetin fizik e mendor aktual. Gjithashtu u pyetën nëse do të ndryshonin diçka nga e kaluara apo nëse ishin penduar për veprime të mëparshme.

Analizat e përgjigjeve treguan se ata që nuk shkëputeshin dot nga e kaluara e hidhur kishin një shëndet më të keq se ata që “nuk e kthenin kokën prapa”.

Burimi: Top Channel


 
 
Picture
Në rast se një gotë verë në ditë ndikon mirë në shëndetin e zemrës, nuk mund të themi të njëjtën gjë për gjinjtë.

Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Alcohol and Alcoholism”, hulumtuesit e Mario Negri, të Universitetit të Milanos dhe atij gjerman të Heidelberg, kanë nxjerrë një fakt tepër interesant në pah.

Edhe pse mund të jetë vetëm një gotë në ditë, sërish diçka e tillë rrit rrezikun e kancerit në gji me rreth 5 %.

Siç raportohet për agjencinë e lajmeve NOA.al, është bërë e ditur se në rast se sasia e gotave shkon në 3 të tilla atëherë rreziku rritet me 50%.

Burimi: Noa


 
 
Picture
Sipas të dhënave të “Eurostat”, sot 43 për qind e meshkujve europianë merren rregullisht me kuzhinën në shtëpi. Në vitet ‘80-të maksimumi ishte 28%. Qëllimi? Të joshin gruan e zemrës dhe të ndajnë me të tjerët eksperiencat.

Një sondazh i bërë nga “Emperica Research” te më shumë se 1000 gra atë kontinentit australian ka nxjerrë në pah një aspekt kurioz të konceptit të sensualitetit mashkullor. Sipas 77 për qind të grave të intervistuara, në fakt, mashkulli është më seksi kur nis të gatuajë, sesa kur “propozohet” si partner seksual. Me pak fjalë, ushqimi merr vendin e parë në bashkimin e mrekullueshëm ushqim&seks. Nga këtej del se janë ende shumë të ndryshme mënyrat e të parit të jetës dhe marrëdhënieve intime mes meshkujve dhe femrave. Nëse shumë meshkuj preferojnë një grua që të jetë e zonja në krevat dhe jo në kuzhinë, për gratë gjithmonë sipas studimit të bërë nga “Emperica” është krejtësisht e kundërta: jo rastësisht, pjesa më e madhe e të intervistuarave deklaroi se pëlqen një vakt të mirë, të gatuar me shumë dashuri nga partneri, sesa të bënin dashuri. Në fakt, për meshkujt kuzhina po bëhet gjithmonë e më shumë një terren ku ata preferojnë të kalojnë shumë kohë. Meshkujt e zotë apo ata që synojnë të bëhen të tillë në kuzhinë, po rriten vazhdimisht ashtu siç tregon fenomeni i kurseve të kuzhinës, që gjithmonë e më shumë po pushtohen nga baballarë apo beqarë që duan të mësojnë të gjitha sekretet e këtij zanati të mrekullueshëm.

Shkollat e kuzhinës
Sipas të dhënave të “Eurostat”, sot 43 për qind e meshkujve në Europë merren rregullisht me kuzhinën në shtëpi. Në vitet ‘80-të maksimumi ishin 28%. Mosha mesatare e të regjistruarve priret të ulet gjithmonë e më shumë: aktualisht ata që i preferojnë më shumë këto kurse janë meshkujt e moshës 30 deri në 45 vjeç dhe me një rrogë mesatare apo të lartë. Në një nga shkollat më të famshme të kuzhinës në Milano, të Italisë shumë kurse në mbrëmje arrijnë deri në 50 për qind për sa i përket pjesëmarrjes së meshkujve, ndërsa në kurset individuale kjo, përqindja shkon në 70. Kurioziteti për pjatat dhe recetat e ndryshme vazhdon të rritet dhe nga kjo po përfitojnë shumë shkollat e kuzhinës që po përballen me një fluks të madh të regjistruarish, kryesisht meshkuj. Në Francë, në Itali, apo edhe në Britani në shkollat e kuzhinës, numri i meshkujve ka kohë që e ka kaluar atë të femrave. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve përbëhet nga i ashtuquajturi seksi i fortë, ai që dikur nuk futej as në derën e kuzhinës. Sipas ekspertëve, ndryshe nga femrat që pëlqejnë pjatat tradicionale të familjes të gatuara mirë, meshkujt kanë shumë fantazi në kuzhinë.

Joshja
Po përse meshkujt dëshirojnë gjithmonë e më shumë të bëhen kuzhinierë të zotë? “Për të bashkuar miqtë. Të rinjtë e sotëm organizojnë shpesh darka apo festa sidomos në fundjavë ku nuk mungojnë perimet, frutat llojet e sallameve dhe gatimet e shtëpisë”, përgjigjen ekspertët. Sipas tyre, meshkujt regjistrohen nëpër kurse kuzhine, regjistrohen mbi të gjitha për të mësuar që të ndajnë me miqtë atë që kanë mësuar. Por ekziston edhe një motiv tjetër: joshja. Sepse gatimi i mirë është një instrument i nevojshëm për të bërë për vete një femër. Në fakt, kjo duket dhe nga numri i madh i beqarëve që ndërmarrin një nismë të tillë. Nuk thonë kot: dashuria nis nga stomaku.

Burri ideal, kuzhinier
Pas të dhënave të studimit të bërë te 1000 gra, përdoruese interneti dhe forumesh, blogjesh dhe platformash të domosdoshme është kuptuar se nga cila anë shkojnë orientimet dhe shijet e grave për burrin ideal. Lajmi është se pikërisht në vend të parë renditen kuzhinierët, që sfidojnë të gjitha figurat klasike, ata që kanë kohë që rezistojnë në majë të klasifikimeve, d.m.th meshkujt me uniformë. Plot 6 në dhjetë gra të intervistuara (58 për qind) deklarojnë se nuk munden t’u rezistojnë meshkujve që janë mjeshtër në kuzhinë, një model që sipas tyre gjeneron siguri, altruizëm dhe simpati. Nuk është e shkruar askund me ligj që femrat gatuajnë më mirë se meshkujt, madje shefat e kuzhinës më të mirë të botës janë meshkujt. Shumë prej femrave të pyetura preferojnë të zgjedhin një mashkull që di të gatuajë shumë mirë, të kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, sesa një doktor që ka emër, që vjen vonë në shtëpi, i lodhur, i rraskapitur dhe që nuk kap gjë me dorë.



 
 
Picture
Çka janë Lythat gjenitale?

Lythat gjenitale të ashtuquajtura Condylomata acuminata “kondyllomat” janë lytha beninjë anogjenital, të shkaktuar nga papillomavirusi human(HPV). Përhapja e tyre bëhet përmes kontakteve seksuale.

Dy të tretat e individëve të cilët kanë kontakt seksual me partnerin e infektuar zhvillojnë lythat gjenital. Periudha e inkubacionit saktë nuk dihet, por shumica e hulumtuesve mendojnë se është mesatarisht 3 muaj.

Ekzistojnë shumë tipe të HPV-e të cilat fajësohen për zhvillimin e condyllomave acuminate. Tipet HPV-6 dhe HPV-11 janë mjaft të shpeshtë, derisa tipet HPV-16 dhe HPV-18 fajësohen për zhvillimin e squamos cell carcinomës në cervix në 70% të rasteve. Shumë hulumtues raportojnë për prevalencën e rritur të infeksioneve me HPV gjatë shtatzënisë, sidomos në tremujorin e parë dhe të dytë dhe rënies signifikante në periudhën e paslindjes.

Prezenca e lythave gjenital te fëmijët paraqet problem diagnostik dhe terapeutik. Bartja vertikale bëhet nga nëna tek fëmija përmes ekspozimit të lëngut amniotik ose nga trakti gjenital i nënës së infektuar. Forma tjetër e mundshme është abuzimi seksual

Si paraqiten dhe si mund t’i dallojmë ato?

Lythat kanë tendencë të paraqiten në vendet që pësojnë trauma gjatë kontakteve seksuale dhe mund të janë të vetme, ose prej 5-15 e më shumë.

Me madhësi prej 1-10 mm, lythat mund të bashkohen dhe të formojnë pllaka të mëdha që është posaçërisht e shpeshtë tek individët me imunitet të suprimuar dhe tek ata me diabet.

Ngjyra ndryshon nga roze-vishnje në roze në të verdhë (lythat e pakeratinizuar), hiri–bardhë (lezionet e keratinizuar) dhe ngjyrë hiri në kafe - të zezë (lezionet e pigmentuar).

Condyllomat acuminata paraqiten në tri lloj formash:

- Lythat papularë, më të shpeshtë në epitelin e keratinizuar (lafsha e jashtme, trupi i penisit, skrotumi, vulva laterale, pubis, perineumi dhe regjioni anal.

- Lythat makulare. Prania e tyre mund të zbulohet në membranat mukozale, me ngjyrë hiri-bardh ose kuq-kafe.

- Neoplazia intraepiteliale: Papuloza Bowen (shfaqet në moshën 25-35 vjeçare) dhe Sëmundja Bowen (shfaqet në moshën 40-50 vjeçare).

Cila gjini dhe moshë atakohet më shpesh?

Në bazë të statistikave të bëra është konstatuar se këto lloj lythash paraqiten te të dy gjinitë me dominim te gjinia mashkullore. Mosha më e atakuar është ajo prej 24-35 vjeç.

Diagnostikimi

Anamneza dhe pamja klinike në shumicën e rasteve janë të mjaftueshme për diagnostikim. Vetëm në rastet diskutabile na detyrojnë ta bëjmë biopsinë.

Si i pranojnë pacientët manifestimin e lythave gjenitale?

Lythat anogjenital shkaktojnë ndjenjën e shqetësimit, fajit, zemërimit dhe humbjes së vetëbesimit si dhe brengosjen për fertilitetin në të ardhmen si dhe për rrezikun nga kanceri i organeve gjenitale.

Trajtimi

Trajtimin e lythave gjenitale e bëjmë varësisht nga pamja klinike e tyre. Trajtimi me krem ose solucione janë më të pranueshme nga pacientet. Në rastet e rezistencës në trajtimin lokal na detyron të përcaktohemi për trajtim kirurgjikal, çka nënkupton trajtimin me elektrokauter, krimoterapi dhe laser terapi.
Pas trajtimit, pacienti obligohet të paraqitet për mbikëqyrje pas 3 dhe 6 muajve pas përfundimit të trajtimit.

Këshilla e juaj për pacientët?

Informimi dhe këshillimi janë thelbësorë për menaxhimin e duhur dhe nuk duhet të jenë gjykues, por përkrahës dhe të përqendruar në natyrën e sëmundjes.

1. Pacienti duhet të marrë informata të qarta nëse është i infektuar.

2. Eliminimi i lythave mund të marrë 1-6 muaj dhe mund të ndodh recidivi, por herët a vonë, do të ndodh spastrimi i plotë.

3. Pirësit e duhanit me lytha gjenital që nuk reagojnë, duhet të ndërpresin pirjen e duhanit, pasi ekziston një lidhje mes pirjes dhe zhvillimit të lythave.

4. Këshillohen pacientet femra të përfshihen rregullisht në programin e mbikëqyrjes të citologjisë cervikale (Papa testit).

5. Inkurajojmë pacientët të përdorin mbrojtje gjatë kontakteve seksuale deri në përfundimin e suksesshme të terapisë. Përdorimi i kondomit në një marrëdhënie stabile mund të mos nevojitet pasi partneri veç i është ekspozuar infeksionit, para konsultimit. Përdorimi i kondomit nuk ndikon në rezultatet e morbiditetit nga HPV, nëse tashmë është paraqitur infeksioni te një individ.

6. Për shkak të periudhës së gjatë latente pas transmisionit, zhvillimi i lythave vetëm tek njëri partner në një marrëdhënie stabile nuk tregon domosdo për kontakt seksual jashtëmartesorë.

7. Partnerët ekzistues gjatë 6 muajve të fundit, duhet të vlerësohen për praninë e lythave dhe për edukimin e këshillimin lidhur me IST tjera dhe parandalimin e tyre.

Zgjedhja e terapisë varet nga morfologjia dhe zgjerimi i lythave(në marrëveshje me pacientin).

Në Qendrën Klinike Universitare gjegjësisht në Klinikën e Dermatovenerologjisë funksionon Shërbimi për Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme dhe përveç infeksioneve tjera të kësaj natyre, mbikëqyren, trajtohen dhe këshillohen edhe pacientët e infektuar me lythat gjenital.


 
 
Picture
Personat të cilët konsumojnë më rrallë produkte të mishit, janë më pak të rrezikuar nga zhvillimi i kataraktit- turbullimit të thjerrëzës së syrit.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga shkencëtarët pranë Universitetit të Oxfordit në një studim 15 vjeçar, katarakti ishte i pranishëm te 3 nga 50 persona që rregullisht konsumonin mish, ndërsa te vegjetarianët katarakti paraqitej te 2 nga 50 persona.

Studimi në të cilin kanë marrë pjesë 27.000 participantë të moshave mbi 40 vjeç, pohon se vegjetarianët dhe veganët kanë 30 deri në 40 për qind rrezik më të ulët për shfaqjen e kësaj sëmundjeje të syrit, në raport me njerëzit që nuk e përjashtojnë mishin nga ushqimi i tyre.

Nga faktorët e rrezikut për zhvillimin e kataraktit përmendim: mosha e shtyrë, duhanpirja, diabeti dhe ekspozimi ndaj dritës së fortë të diellit.




 

    Shëndeti

    Në këtë portal ju do te gjeni informacione rreth Shëndeti